Terrori në Sudan, si RSF u merr gjak me forcë civilëve për ushtarët
Me një shall të lidhur fort mbi sytë e tij që të mos shihte, luftëtarët e Forcave të Shpejta të Mbështetjes (RSF) i morën gjak përmes një shiringe.
“Nuk e di sa gjak më morën”, rrëfen 35-vjeçari nga el-Fasheri, kryeqyteti i Darfurit të Veriut që u pushtua nga RSF në fund të tetorit.
“Kisha frikë se mos ma merrnin gjithë gjakun dhe vdisja. Nuk mund të rezistoja sepse isha i lidhur dhe ushtarët qëndronin jashtë me armë.”
Gjatë marrjes së el-Fasherit, i cili kishte më shumë se 550 ditë në rrethim, RSF-ja përdhunoi, vrau dhe mori peng shumë civilë.
Lufta mes RSF-së dhe Ushtrisë Sudaneze (SAF), e nisur në prill 2023, ka zhvendosur një të tretën e popullsisë së Sudanit. Sipas disa dëshmitarëve, RSF ka marrë gjak me forcë nga civilët në Darfurin e Veriut.
Adam, të cilit i është ndryshuar emri për siguri, u arrestua nga RSF më 26 tetor pranë aeroportit të el-Fasherit. Ai tha se e çuan në një shtëpi komandanti ku mbaheshin edhe shumë të tjerë. Aty kuptoi se shtëpia po përdorej si “bankë gjaku”, sepse pa më shumë se 50 persona që detyroheshin të jepnin gjak.
Zëdhënësi i RSF-së i ka mohuar akuzat, duke thënë se janë “gënjeshtra dhe propagandë”.
Adam tregoi se ai dhe të tjerët detyroheshin të gatuanin, pastronin e bënin punë shtëpie për ushtarët. Pastaj i mbanin mbyllur në një tualet shumë të vogël ku as nuk mund të uleshin.
Pas një jave, RSF kërkoi para për t’i liruar, por edhe kur njerëzit paguanin, shpesh kërkohej përsëri pagesë. Adam dhe dy të tjerë arritën të arratisen gjatë natës, ndonëse ishin shumë pa fuqi. Ai tregoi se kishte rënë disa herë pa ndjenja, por arriti të shkonte në Tawila, ku sot qëndrojnë qindra mijëra civilë.
RSF nuk merrte gjak vetëm brenda qytetit. Dëshmitarë të tjerë thonë se ushtarët ndalonin njerëzit edhe në rrugën nga el-Fasheri drejt Tawilas.
Një banor i el-Fasherit tha se ai dhe kushërinjtë u arrestuan gjatë arratisjes dhe RSF u mori gjak me pajisje që i mbanin në makinat e tyre ushtarake. Ata talleshin me ta, duke u thënë:
Jeni skllevër, mos u shqetësoni, nuk do të vdisni. Kemi nevojë për gjakun tuaj për ushtarët tanë!
Një mësues, Ahmed, tha se më 27 dhe 28 tetor pa vetë ushtarët e RSF-së duke u marrë gjak civilëve dhe ushtarëve të kapur. Ai u arrestua me rreth 450 civilë të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë. Më pas RSF kërkoi para për t’i liruar.
Kur u kthye për të marrë sendet e tij në shkollën ku ishin mbajtur të burgosurit, nuk gjeti më asnjë nga 400 personat e tjerë. Kur pyeti ushtarët, atij iu tha të mos pyesë më. Ahmed beson se të gjithë janë vrarë.
Ndihmës dhe organizata të tjera konfirmuan se RSF ka marrë gjak me forcë nga civilët.
Një punonjës i ndihmës tha: Kjo është një nga mizoritë më të këqija të RSF-së. Ata i marrin të rinjtë që po ikin nga el-Fasheri, i rrëmbejnë dhe u marrin gjakun.
Një punonjës ndërkombëtar tha se raste të tilla kishin ndodhur edhe para rënies së el-Fasherit dhe po vazhdojnë ende.