Gara/ SPAK propozon Joni Ketën për drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit

SPAK  vendosi t’i rekomandojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për emërim, në pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta, për një mandat 5-vjeçar.

Keta u propozua si kandidat për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit për pesë vitet e ardhshme nga komisioni pranë SPAK-ut i përbërë nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Ata kanë votuar për emrin e hetuesit Joni Keta, oficer i Byrosë Kombëtare, zëvendësdrejtor dhe aktualisht drejtues i komanduar i BKH-së.

"Komisioni i Përzgjedhjes për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në mbledhjen e tij të datës, 26.11.2025, në prani të përfaqësuesve të ICITAP dhe Bashkimit Europian, vendosi t’i rekomandojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për emërim, në pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, z.Joni Keta, për një mandat 5-vjeçar" informoi sot SPAK.

Emërimi përfundimtar pritet të bëhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në datën 2 dhjetor 2025.

Joni Keta ka shërbyer si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Ai pritet të marrë postin e lënë nga Aida Hajnaj, e cila u largua zyrtarisht nga kjo detyrë më 1 shtator 2025.

Kush garoi për kreun e BKH-së:
Andi Pogaçe
Artur Beu
Elton Kërluku
Gentian Ndoi
Gentjan Shehaj
Gledis Nano
Joni Keta.