SYRI TV/ Reshjet rikthejnë përmbytjet në disa qarqe, qindra hektarë tokë nën ujë
Përkeqësimi i kushteve të motit ka rikthyer përmbytjet në pjesën më të madhe të vendit duke sjellë edhe një herë bllokime rrugësh dhe zhytjen e banesave nën ujë. Disa akse rrugore janë bllokuar duke izoluar disa fshatra.
Syri TV
Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në Lezhe. Kanalizimet nëntokësore nuk e kanë përballuar nivelin e prurjeve dhe ujërat kanë sjellë përmbytje në bllokun e banimit “11-Janari” të lagjes “Besëlidhja”.
Në zonën e Lushnjës, Lumi Seman ende me prurje të larta për shkak të shkarkimeve me 250 m³ në sekondë nga hidrocentrali i Banjës. Lumi ende mban nën ujë 180 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturës në Ngurrëz të Vogël, Imshtë e Zhelizhan. Hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë për të larguar ujërat nga tokat bujqësore në zonën e Tërbufit, Divjakës, Fier-Shegan, Krutje, Këmishtaj dhe Karavasta.
Qarku Kukës vijon të jetë i përfshirë nga reshje të dendura shiu. Probleme me inertet e rrëshqitjet e dherave janë shfaqur në akset nacionale Kukës – Qafë Mali, Kukës – Bushtricë – Peshkopi, Kukës – Shishtavec, Kukës – Krumë – Kam – Tropojë, Tropojë – Qafë Mali si dhe në aksin Tropojë – Qafë Morinë. Ndërkohë, shumë rrugë rurale vijojnë të jenë të dëmtuara. Pa energji elektrike Fshati Mamëz, Nj.Adm. Kolsh, Nj.Adm. Surroj, Bashkia Kukës, Nj.Adm. Tropojë e Vjetër, Fierz, Llugaj dhe Margegaj, Bashkia Tropojë, Fshati Zarisht, Nj.Adm. Fajza, Bashkia Has
Bashkia Fushë-Arrëz ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra. Ndërsa janë rikthyer problemet e pak ditëve më parë si prezencë uji, gurësh dhe dherash në rrugët rurale.
Në Bashkinë Kolonjë, është ndërhyrë me ekskavator në argjinaturën e përroit të Shtikës dhe Bezhanit. Në fshatin Gostivisht është punuar me fadromë për largimin e dherave të rrëshqitura në rrugë. Vijojnë punimet në urën e Qinamit.
Në Bashkinë Maliq vijon puna në argjinatura e lumit Devoll duke stacionuar inertet në zona e urës. Pas përfundimit të testimit të rrugës, do të nisë transporti i inerteve drejt zonës së çarjes së konstatuar. Në aksin Lozhan–Mesmal vijon puna për pastrimin e masivit nga shtrati i rrugës, me qëllim mundësimin e kalueshmërisë për katër fshatrat: Velçan, Selcë, Mesmal dhe Niçë.
Rrëshqitje dherash ka pasur pranë fshatit Vllahinë, ndërsa u bllokua për disa orë qarkullimi drejt kësaj zone. Rrëshqitja e dherave për shkak të mungesës së barrierave mbrojtëse në rrugë. Gjithashtu është bllokuar edhe një herë rruga e fshatit Rromës, banorët shprehen se edhe pas protestës së tyre nuk është marrë asnjë masë nga Bashkia Selenicë për parandalimin e kësaj situate.
Rrëshqitje dheu janë regjistruar edhe në aksin Tepelenë- Gjirokastër në vendin e quajtur "Shkalla e zezë".