Qindra ushtarë izraelitë bastisin qytetin palestinez në Bregun Perëndimor

Qindra ushtarë izraelitë të mbështetur nga automjete të blinduara kanë kryer bastisje në qytetin palestinez Tubas pranë Nablusit, në dislokimin më të madh ushtarak të forcave izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në Gaza muajin e kaluar.

Media palestineze raportoi se një shtetrrethim u vendos të martën në mbrëmje në Tubas dhe disa komunitete fqinje, rrugët u mbyllën me barriera prej dheu dhe familjet u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre për t’u përdorur nga forcat izraelite. Ushtria izraelite dhe shërbimi i sigurisë së brendshme thanë në një deklaratë të përbashkët se kishin nisur “një operacion të gjerë kundër terrorizmit” që pritet të vazhdojë për disa ditë.

Gazeta izraelite Haaretz raportoi se fletushka të shpërndara nga ushtria izraelite në Tubas kishin informuar njerëzit se zona ishte “shndërruar në një strehë për terrorizmin”.

“Nëse nuk e ndryshoni këtë, ne do të veprojmë siç bëmë në Jenin dhe Tulkarm”, paralajmëruan fletushkat, duke iu referuar dy qyteteve veriore në Bregun Perëndimor që u goditën nga sulme të mëdha ushtarake të forcave izraelite më herët këtë vit, të cilat shkaktuan dëme të gjera dhe zhvendosën dhjetëra mijëra njerëz.

Në Gaza, pati raporte të tjera për dhunë gjatë natës, përfshirë bombardime pranë qytetit qendror al-Bureij. Ushtria izraelite tha se kishte vrarë gjashtë militantë të Hamasit që “me shumë gjasë” kishin dalë nga një tunel pranë Rafahut, qyteti në jug të territorit palestinez të shkatërruar. Nuk pati konfirmim të pavarur për pretendimin, por ka pasur një sërë përleshjesh ditët e fundit në gjysmën e Gazës të kontrolluar nga forcat izraelite, ku militantët janë të bllokuar në tunele.

Të martën, Hamasi dorëzoi mbetjet e Dror Or, një peng izraelit i vrarë bashkë me gruan e tij kur shtëpia e tyre u sulmua nga sulmues të organizatës islamiste gjatë bastisjes së papritur në Izrael në tetor 2023 që ndezi konfliktin në Gaza. Mbetjet e dy pengjeve, një izraelit dhe një tajlandez, mbeten ende në Gaza. Izraeli ka rënë dakord të lirojë 15 trupa palestinezësh për çdo peng të kthyer.

Në total, militantë nga Hamasi dhe fraksione aleate vranë rreth 1 mijë e 200 persona dhe rrëmbyen 251 të tjerë në Gaza gjatë sulmit. Pothuajse 70 mijë palestinezë u vranë dhe 170 mijë e 863 u plagosën në ofensivën izraelite që pasoi, përfshirë qindra që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të brishtë muajin e kaluar.

Fazat e ardhshme të planit 20 pikësh të Donald Trump për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza përfshijnë krijimin e një organi ndërkombëtar për të qeverisur Gazën dhe për të mbikëqyrur rindërtimin nën një mandat dy vjeçar të rinovueshëm të OKB-së. Një forcë e armatosur ndërkombëtare e stabilizimit do të ruajë sigurinë dhe do të sigurojë çarmatosjen e Hamasit, një kërkesë kyçe e Izraelit. Zbatimi i pothuajse çdo pjese të planit përballet me sfida të mëdha.

Dhuna në Bregun Perëndimor, të cilin Izraeli e ka pushtuar që nga viti 1967, është rritur ndjeshëm që nga tetori 2023 dhe ka vazhduar edhe pas armëpushimit.

Sipas OKB-së, trupat izraelite ose kolonët kanë vrarë më shumë se 1 mijë palestinezë në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Gaza. Zyrtarët e OKB-së ia atribuojnë shumicën e këtyre viktimave “përdorimit sistematik dhe të tepruar të forcës vdekjeprurëse nga forcat izraelite, shpesh duke përfshirë zjarr të drejtpërdrejtë, sulme ajrore dhe raketa të lëshuara nga shpatulla në zona të dendura, duke rezultuar në vdekje të shumta civile, përfshirë fëmijë”.

Të paktën 44 izraelitë, përfshirë ushtarë dhe civilë, janë vrarë në sulme palestineze ose gjatë operacioneve ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor, sipas OKB-së.

Më herët këtë javë, Human Rights Watch tha në një raport se zhvendosja e detyruar nga qeveria izraelite e popullsive të kampeve të refugjatëve në Bregun Perëndimor në janar dhe shkurt 2025 përbën krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

32 mijë persona të zhvendosur nga kampet nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre, shumë prej të cilave forcat izraelite i kanë shkatërruar me qëllim, tha grupi ndërkombëtar.