Shkodër/ Sekuestrohen armë zjarri dhe kanabis, arrestohet 40-vjeçari, procedohet penalisht i mituri

Policia e Shkodrës ka zhvilluar kontrolle në kuadër të planit të masave për rritjen e sigurisë dhe goditjen e veprimtarive kriminale. Si rezultat, është finalizuar operacioni policor i koduar “Blic”, gjatë të cilit u goditën dy raste të paligjshmërive: një në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe një tjetër në fushën e narkotikëve.

Gjatë operacionit, në lagjen “Liria”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” ndaluan një automjet në të cilin udhëtonin shtetasi M. K. dhe një 16-vjeçar. Në kontrollin fizik, te i mituri u gjet një sasi lënde e dyshuar kanabis, e cila u sekuestrua si provë materiale.

Më pas, gjatë kontrollit të banesës së 40-vjeçarit M. K., në fshatin Barbullush, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë dhe municion luftarak.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve: arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 40 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 16-vjeçarin, i dyshuar për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Policia e Shkodrës bën me dije se kontrollet do të vijojnë në gjithë territorin e qarkut, me fokus identifikimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme.