Shembet Ura në Lekbibaj, deputeti Çelaj: Thirrje urgjente për ndërhyrje nga shteti, 6 fshatra të bllokuar…
Deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun e Kukësit e në veçanti për Tropojën Isuf Çelaj ka reaguar me një postim në rrjetet sociale ndaj situatës së veshtirë që është krijuar në zonën e Nikaj Mërturit.
Sipas tij Ura e Lumit të Vogël në Lekbibaj është shkatërruar plotësisht.
“Ura u dëmtua pjesërisht që më 18 janar 2024, dhe deri sot Bashkia Tropojë nuk ka marrë asnjë masë për rindërtimin e saj, këto ditë të reshjeve ajo u shkatërrua plotësisht”, shkruan Çelaj duke bërë thirrje për ndërhyrje urgjente në këtë zonë pasi 6 fshatra janë totalisht të bllokuar.
Mesazhi:
Thirrje URGJENTE PËR NDËRHYRJE – Ura e Lumit të Vogël, Lekbibaj (Nikaj–Merturi)
Ura e Lumit të Vogël nuk është thjesht një urë – është lidhja jetike e gjashtë fshatrave me shkollën e vetme 1–12 në Lekbibaj.
Fëmijët ecin 6 km për të shkuar në shkollë dhe 6 km për t’u kthyer, çdo ditë.
Ura u dëmtua pjesërisht që më 18 janar 2024, dhe deri sot Bashkia Tropojë nuk ka marrë asnjë masë për rindërtimin e saj,këto ditë të reshjeve ajo u shkatërrua plotësisht.
I bëj thirrje Bashkisë Tropojë,Prefekturës Kukës dhe Agjencisë Kombëtare të Emergjencave të Ministrisë së Mbrojtjes:
Ndërhyni menjëherë!
Kjo urë është shpresa dhe siguria e qindra banorëve të Nikaj–Merturit, ta bëni këtë të paktën për ata vogëlushë që mos të rrezikojnë jetët e tyre për të shkuar në shkollë!!!