Bllokohet sërish rruga në fshatin Romës, banorët: Askush nuk po merr masa….

Rruga e fshatit Romës, në Bashkinë Selenicë, është bllokuar sërish pas reshjeve të shiut, duke krijuar përmbytje, grumbullim balte dhe vështirësi të mëdha në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Segmenti, i cili prej vitesh konsiderohet problematik, u bë edhe një herë i pakalueshëm, duke izoluar banorët e zonës.

Të revoltuar, banorët thonë se situata përsëritet vazhdimisht dhe se institucionet vendore nuk kanë marrë asnjë masë konkrete për të zgjidhur problemin. Sipas tyre, rruga degradohet pas çdo reshjeje, ndërsa Bashkia Selenicë “mbyll sytë” ndaj ankesave të komunitetit.

Banorët akuzojnë pushtetin vendor për neglizhencë të vazhdueshme dhe mungesë investimesh minimale që do të parandalonin përmbytjet. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, duke theksuar se kalimi i përditshëm është bërë i rrezikshëm dhe i pasigurt.

Situata aktuale rikthen në vëmendje mungesën e investimeve dhe standardeve të mirëmbajtjes së infrastrukturës në zonat rurale, ku problematikat shpesh lihen të pazgjidhura deri në agravim.