Berisha: Kërkoj rikualifikimin e veprës penale, Edi Rama kryeson një organizatë të vërtetë kriminale
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se qeveria e kryesuar nga Edi Rama funksionon si një organizatë kriminale e strukturuar, ku zyrtarët vjedhin masivisht fonde publike në projekte të ndryshme infrastrukturore.
Sipas Berishës, vetëm nga tuneli i Llogarasë, unaza e Tiranës dhe aeroporti i Vlorës janë përvetësuar qindra milionë euro, ndërsa prokuroria nuk i ka cilësuar këto veprime si pjesë e një organizate kriminale.
Lideri i opozitës kërkoi me urgjencë rikualifikimin e veprave penale dhe denoncoi mungesën e përgjegjësisë për humbjet kolosale në buxhetin e shtetit.
Deklarata e plotë për media:
Ju duhet të dini se vetëm me tunelin e Llogarasë janë vjedhur 97 milionë euro të pastërta.
Por unë u them ju se me unazën e Tiranës janë vjedhur të pastërta 300 deri në 320 milionë euro.
Me aeroportin e Vlorës 140 milionë euro. I njëjti grup, e njëjta bandë, por që nuk cilësohet organizatë kriminale.
Po më thoni ju çfarë dëmesh më të mëdha kanë bërë një grup kriminelësh ordinerë?
Cili ka bërë kaq shumë dëme kolosale në buxhetin e qytetarëve shqiptarë?
Çfarë kushtesh duhet të plotësojnë këta që prokuroria t’i shpallë organizatë kriminale, përveçse faktit që janë zyrtarë dhe nuk do t’i quajë të tillë.
Ndaj dhe ata hidhen. Ndaj dhe kanë ndërsyer mediat e tyre si lukuni me akuza monstruoze, me akuza të turpshme se u bë grusht shteti, se po përmbyset Kushtetuta, se po përmbyset rendi kushtetuese, në një kohë kur ajo që është e pafalshme, është e papranueshme është se nuk janë kualifikuar si grup i strukturuar kriminal apo organizatë kriminale.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim.
Kërkoj me urgjencë rivlerësimin, rikualifikimin e veprës së tyre.
Nuk mund të kalohet nga një vjedhje e madhe në një vjedhje tjetër të madhe.
U zhdukën 400 milionë euro të inceneratorëve.
Tani janë me qindra e qindra milionë të tjera dhe përsëri nuk kemi grup të strukturuar kriminal, nuk kemi organizatë kriminale në një kohë kur Edi Rama kryeson një organizatë të vërtetë kriminale që është qeveria e tij.