'6 vite pas tërmetit, qindra familje në Durrës ende pa strehë', Harizi: Qeveria nuk ka e përfunduar rindërtimin

Gjashtë vite kanë kaluar nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019, por për qindra familje në Durrës, drama ende nuk ka përfunduar.  Në vitin e gjashtë të fatkeqësisë që mori 51 jetë njerëzish dhe la mijëra të pastrehë, anëtarja e Këshillit Bashkiak nga radhët e opozitës, Eda Harizi denoncoi për Syri Televizion zvarritjen e procesit të rindërtimit, mungesën e transparencës për fondet dhe premtimet e pambajtura që i kanë lënë qytetarët në mëshirë të fatit.

Sipas Harizit, premtimi për rindërtim të plotë brenda një afati maksimal prej tre vitesh ka mbetur thjesht një fjalë e thënë.

Sot, qytetarët ende vuajnë pasojat, jo vetëm të humbjes së banesave dhe bizneseve, por edhe të një procesi të tejzgjatur që ka sjellë pasiguri dhe dëshpërim. Fëmijët vazhdojnë të ndjekin mësimin në shkolla larg shtëpive dhe me dy turne, një dëshmi e gjallë e dështimit për të rikthyer normalitetin.

Një nga pikat më të errëta të këtij procesi mbetet menaxhimi i fondeve.

“Janë qindra milionë euro fonde të dhëna për rindërtimin. Ku kanë shkuar këto fonde? Si janë përdorur?” pyet këshilltarja, duke shtuar se kërkesa e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor në Këshillin Bashkiak është refuzuar nga shumica.

LEXO EDHE: '6 vite pas tërmetit, qeveria e Edi Ramës lë Spitallën bosh!' 4 mijë qytetarë ende pa strehë

Që prej marsit të vitit 2023, bonusi i qirasë është ndërprerë, duke i detyruar familjet që ende nuk janë strehuar të paguajnë qiranë nga xhepi i tyre.  Kjo ka çuar në protesta dhe thirrje dëshpëruese nga qytetarët, veçanërisht të moshuarit, të cilët shprehen me frikën se nuk do të arrijnë të futen gjallë në shtëpitë e tyre të reja.

Ironia e situatës arrin kulmin me banesat e reja. Në lagjen 15, banorëve u janë dhënë çelësat e apartamenteve, por ata nuk mund të futen dot.

Shkaku është mungesa e infrastrukturës bazë si ajo hidrike dhe elektrike, e cila nuk është kolauduar. “Çelësat ishin vetëm për të bërë show para fushatës,” denoncohet nga Harizi për mikrofonin e Syri Televizion.

Deklarata e plotë:

"Sot bëhen gjashtë vite nga ajo ditë tragjike e tërmetit në Durrës, ku fatkeqësisht në Durrës, por dhe në zona të tjera, Thumanë dhe zona të tjera, humbën jetën 51 qytetarë. Por përveç humbjes njerëzore, që shumë e rëndë, pati dhe ato humbjet e tjera, që dhe këto qenë një dramë për qytetarët: shkatërrimi i banesave, shkatërrimi i bizneseve, shkatërrimi i shkollave për fëmijët, të cilat edhe këto bënë që Durrësi në ato javët e para ishte vërtet në një gjendje dramatike, në gjendje shoku.

Por fatkeqësisht, edhe sot, mbas gjashtë vitesh, një pjesë e qytetarëve të Durrësit vazhdojnë të vuajnë mbi kurriz dramën e humbjes së banesave, pasurive, bizneseve të tyre. Dhe fëmijët vazhdojnë sot e kësaj dite të shkojnë në shkolla larg banesave, në shkolla me dy turne.

Edhe pse premtimi u bë që brenda dy deri në tre viteve maksimumi do të ndërtohej gjithçka, dhe infrastruktura e shembur, por edhe banesat e qytetarëve. Ne si këshilltarë të opozitës kërkuam, kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme në Këshillin Bashkiak, ngritjen e një komisioni hetimor në lidhje me fondet e rindërtimit. Sepse në fakt janë qindra milionë euro fonde të dhëna për rindërtimin. Ku kanë shkuar këto fonde? Si janë përdorur ato? Asnjë përgjigje nuk është dhënë e saktë dhe ndërkohë komisioni jonë nuk u pranua me shumicën e kartonave të këshilltarëve të pozitës.

. Asnjë përgjigje e saktë nuk është dhënë. Por një gjë është shumë e qartë, që qindra banorë, qindra familje vazhdojnë të mos futen në shtëpitë që u premtuan që do ndërtoheshin pas tërmetit. Por edhe ajo që është e rëndë është që që nga marsi i 2023-shit është ndërprerë bonusi. Këta banorë që nuk futen në shtëpitë e tyre, nuk marrin as bonusin më. Pagujnë nga xhepi i tyre për qiratë e banesave ku ata jetojnë aktualisht.

Në shtator 2025, një pjesë e këtyre qytetarëve bënë një protestë para bashkisë në Durrës me pankarta në duar duke protestuar, por edhe me thirrje që i bënë para gazetarëve, që ishin thirrje dëshpëruese, thirrje të një shpirti që po vuante kalvarin e këtyre viteve, duke thënë, i lutemi Zotit, i drejtohemi Zotit të na ndihmojë të arrijmë të futemi gjallë në shtëpitë tona, sepse jemi të sëmurë, jemi në moshë të vjetër. Me thënë një, vërtet një thirrje që del nga një shpirt që po kalon kalvarin, më fal, që qeshëm.

Thirrje që del nga shpirtrat e munduar gjatë gjithë këtyre viteve. Asnjë përgjigje nuk është dhënë nga bashkia. Pse që nga qershori, por edhe më përpara, një pjesë edhe në janar, shkurt, mars, morën çelësat e banesave dhe nuk futen konkretisht në banesat e lagjes 15 ku ne jemi tani. Për shkak të moskolaudimit të gjithë infrastrukturës, asaj hidrike, elektrike, këta morën çelësat por nuk futen dot, sepse nuk është gati kjo infrastrukturë. Domethënë, çelësat ishin vetëm për të bërë show para fushatës. Dhe banorët vazhdojnë pyesin kur do futemi.

Ndërkohë ka të tjerë që akoma i kanë pallatet e tyre në proces vlerësimi, siç janë banorët e lagjes numër pesë, ku nga tetë-nëntë pallate të dëmtuara që u vlerësuan me me vlerësimin DS5, vetëm njëri është rindërtuar, njëri akoma është në proces shembje dhe shtatë të tjerët janë akoma në proces rivlerësimi si do bëhet, ku do ndërtohen ato".