Banorët e Kukësit të braktisur nga shteti: reshjet e dendura shkaktojnë probleme në infrastrukturë
Qarku i Kukësit po përballet me reshje intensive shiu që kanë nisur që nga orët e para të mëngjesit dhe vijojnë me intensitet mesatar deri të lartë, duke krijuar situata problematike në infrastrukturë dhe energji.
Si pasojë e reshjeve, akset rrugore nacionale janë nën presion për shkak të rënies së gurëve, dherave dhe inerteve. Edhe pse subjektet kontraktore ndodhen në terren dhe po punojnë për pastrimin e tumbinave, disa segmente vijojnë të jenë të vështira për t’u qarkulluar, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve. Më të prekura janë segmentet:
Kukës – Qafë Mali
Kukës – Bushtricë – Peshkopi
Kukës – Shishtavec
Kukës – Krumë – Kam – Tropojë
Tropojë – Qafë Mali
Tropojë – Qafë Morinë
Rrugët rurale vazhdojnë të jenë të dëmtuara dhe jo të sigurta për lëvizje, duke nxjerrë në pah mungesën e përgatitjes për situata emergjente në shumë zona. Autoritetet lokale nuk kanë raportuar deri tani situata kritike, por qytetarët ndihen të braktisur përballë problematikave të përditshme.
Probleme janë edhe me furnizimin me energji elektrike. Disa zona mbeten pa energji, përfshirë:
Fshati Mamëz, Nj. Adm. Kolsh
Nj. Adm. Surroj, Bashkia Kukës
Nj. Adm. Tropojë e Vjetër, Fierz, Llugaj dhe Margegaj, Bashkia Tropojë
Fshati Zarisht, Nj. Adm. Fajza, Bashkia Has
Ekipet përkatëse po punojnë për rikthimin e energjisë dhe normalizimin e situatës, por problematikat vazhdojnë të rëndojnë jetën e qytetarëve dhe të rrisin shqetësimet për sigurinë në këto zona.