Qeveria e Ramës nuk kap asnjë gram/ Raporti bombastik i italianëve: Porti i Durrësit, pikë hyrëse e kokainës në Europë
Ndërkohë që qeveria shqiptare nuk kap asnjë gram kokainë në Portin e Durrësit, një raport i fortë nga qeveria italiane konstaton se ky por është kthyer në pikën e re hyrëse të kokainës në Itali dhe Europë. SYRI TV zbardh raportin e fundit të Drejtorisë Qendrore të Shërbimit Antidrogë italian, pranë Ministrisë së Brendshme
Nga Alba Kepi
Raporti i fundit i Antidrogës Italiane, mbi analizën e grupeve kriminale shqiptare nxjerr në pah faktin se ajo që deri dje konsiderohej një fenomen periferik, i lidhur me kriminalitetin e rrugës, shfaqet sot si një strukturë e sofistikuar, transnacionale dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë reale të vendit.
Raporti sjell alarmin se grupet shqiptare kanë braktisur modelin e vjetër të kriminalitetit të ulët, duke adoptuar një arkitekturë fleksibile dhe të decentralizuar, e cila u mundëson të operojnë si ndërmjetës besueshëm në zinxhirët globalë të trafikut ndërkombëtar të drogës me një aftësi të dukshme për t’u integruar në mënyrë strategjike në indin ekonomik italian, përmes pastrimit të kapitalit, marrjes së bizneseve në vështirësi dhe përdorimit të mekanizmave financiarë të sofistikuar.
Në analizën mbi trafikun e kokainës, ekspertët e antidrogës italiane të Ministrisë së Brendshme evidentojnë si rrugë të re të trafikut të kokainës, Portin e Durrësit, ku ngarkesat me kokainë mbërrijnë aty nga Amerika e Jugut përmes Maltës e Portit kalabrez Gioia Taura.
Zbërthimi i platformës SKY ECC ka ndihmuar autoritetet italiane dhe evropiane të zbërthejnë organizimin e mafies shqiptare, rolin e tyre, lidhjet me vendin e origjinës e degëzimet nëpër botë.
Në trafikun e marijuanës e kanabisit, Shqipëria mbetet vend prodhues e epiqendër për shpërndarjen e kanabisit në Evropën Perëndimore, veçanërisht në Itali, Kroaci, Hungari, Republikën Çeke, Austri, Francë, Gjermani dhe Holandë, si dhe një nga furnizuesit kryesorë përmes dy korridoreve më strategjike të trafikut drejt Italisë dhe më pas Evropës; rruga Adriatike dhe ajo Ballkanike, të cilat mbeten thelbësore në arkitekturën kriminale që lidh Shqipërinë me tregjet ndërkombëtare.
Rruga Adriatike, me pikënisje në portet shqiptare dhe mbërritje në brigjet lindore të Italisë, përdoret kryesisht për trafikun detar të kanabisit dhe substancave të tjera narkotike. Gomone të shpejta, mjete peshkimi të modifikuara dhe njësitë e vogla detare sigurojnë një fluks të vazhdueshëm që furnizon jo vetëm tregun italian, por edhe rrjetet europiane që veprojnë në territorin e BE-së.
Rruga Ballkanike ndjek një itinerar të ngjashëm në origjinë, por shumë më i ndërlikuar në degëzimet e tij. Nisja nga Shqipëria pasohet nga kalimi përmes territorit të Ballkanit Perëndimor përpara se trafiku të hyjë në Itali, shpesh nëpërmjet Friuli Venezia Giulia. Kjo rrugë është historikisht arteria kryesore e heroinës me origjinë nga Azia, por vitet e fundit është shndërruar në një kanal multifunksional për lloj-lloj substancash dhe mallrash të paligjshme.
Shqetësimi kryesor i raportit nuk qëndron vetëm në kapacitetin logjistik të këtyre grupeve të afta të shtrihen nga portet e Europës Veriore deri te rruga ballkanike por në rolin e tyre të ri si aktorë ekonomikë të padukshëm, që ndërhyjnë në tregjet lokale dhe ndikojnë balancat konkurruese. Ky fenomen, deri më sot pak i evidentuar në debatin publik, e shtyn analizën përtej dimensionit kriminal, duke e vendosur atë në një kornizë më të gjerë rreziku: atë të infiltrimit financiar dhe të deformimit të mekanizmave ekonomikë në nivel territorial.
“…Përmes përdorimit të ndërrimit të identitetit të parashikuar në legjislacionin shqiptar, që lejon shmangien e kontrolleve policore dhe të dënimeve penale apo administrative, vihet re në veçanti marrja, nga përfaqësues të mafias shqiptare, e kompanive ose kuotave të tyre të përdorshme për pastrimin e parave të pista”, shkruhet në të.
Raporti i Drejtorisë Qendrore të Shërbimit Antidrogë në Itali
Kriminaliteti shqiptar
Kriminaliteti me origjinë shqiptare, gjatë viteve, ka evoluar strategjitë e veta drejt formave më të sofistikuara të veprimtarive kriminale, të karakterizuara nga natyra transnacionale. Në veçanti, menaxhimi gjithnjë e më i specializuar i trafikut ndërkombëtar të drogës në të gjithë zinxhirin e tij ka bërë që organizatat kriminale shqiptare, duke u modeluar sipas sistemeve tipike të grupeve mafioze, të kenë fituar një peshë të tillë që i bën ato të konsiderohen ndërmjetës të besueshëm dhe të kujdesshëm, edhe sepse janë të aftë të përditësojnë mjetet e tyre operative.
Pikërisht për këtë arsye është i domosdoshëm përdorimi i vazhdueshëm i rrjeteve telefonike të enkriptuara për të garantuar komunikime të sigurta mes anëtarëve të grupeve kriminale, të cilët merren me furnizimin dhe shitjen e drogës edhe për organizime të tjera kriminale. Zbulimi i platformës së enkriptuar SKY ECC, e përdorur edhe nga grupet shqiptare për menaxhimin e çdo lloj trafiku të paligjshëm, është treguar me rëndësi themelore për të njohur elementë të tjerë të strukturës tipike të organizatës kriminale shqiptare, e cila nuk është piramidale apo vertikale, por bazohet në rrathë koncentrikë:
Rrethi i parë: i zënë nga promovuesit e organizatës, zakonisht dy ose tre persona, të lidhur jo vetëm nga një lidhje bashkëpunimi, por edhe nga një lidhje familjare (pothuajse gjithmonë vëllezër, kushërinj ose kunetër që shpesh operojnë nga vendi i origjinës);
Rrethi i dytë: përbëhet nga persona të ardhur nga i njëjti qytet ose zonë gjeografike e Shqipërisë, të cilët kanë funksione organizative në aktivitetet e paligjshme;
Rrethi i tretë: përfshin bashkatdhetarë që jetojnë në qytete të tjera dhe që kryejnë detyra operative (korrierë, shpërndarës).
Në Itali, grupet shqiptare janë ndër më aktivet, për shkak të aftësisë së tyre për të ruajtur lidhjet me atdheun dhe për të operuar me shtrirje transnacionale. Mafia shqiptare tashmë ka braktisur kryerjen e krimeve të vjedhjes (vjedhje dhe plaçkitje në vila/banesa), atyre të lidhura me shfrytëzimin e prostitucionit dhe shitjen e thjeshtë të lëndëve narkotike, për të zgjeruar praninë e saj territoriale në trafikun e drogës. Kjo është veçanërisht e dukshme në tregtinë e paligjshme të marijuanës së prodhuar në Shqipëri, por edhe të drogërave të tjera, falë bashkëpunimit solid dhe gjithnjë e më të fortë me klane mafioze italiane, veçanërisht ato puljeze, partnerë historikë në këto trafiqe, si dhe me anëtarë të klaneve të rëndësishme të ’Ndrangheta-s për trafikun e kokainës, siç ka dalë nga hetime të rëndësishme të koordinuara nga DCSA.
Një tjetër karakteristikë që vërehet shpesh është rrënjosja e këtyre grupeve në strukturën sociale italiane falë burimeve të mëdha ekonomike. Përmes operacioneve të paligjshme financiare, që shfrytëzojnë edhe shumë hawaladarskinezë të pranishëm në Itali, si dhe përmes përdorimit të ndërrimit të identitetit të parashikuar në legjislacionin shqiptar, që lejon shmangien e kontrolleve policore dhe të dënimeve penale apo administrative, vihet re në veçanti marrja, nga përfaqësues të mafias shqiptare, e kompanive ose kuotave të tyre të përdorshme për pastrimin e parave të pista.
Në nivel ndërkombëtar, roli i “agjencisë së shërbimeve” i marrë përsipër nga kriminaliteti shqiptar konfirmohet nga kontrolli i trafikut të marijuanës dhe heroinës të destinuara për Evropën Perëndimore përgjatë të ashtuquajturës “rrugë ballkanike”, i lehtësuar edhe nga pozita gjeografike e favorshme e Shqipërisë në këtë drejtim.
Ky rol konfirmohet edhe nga dinamika ndërkombëtare e importimit dhe furnizimit me substanca narkotike, duke pasur të dislokuar në vende të ndryshme evropiane (Spanjë, Mbretëri e Bashkuar, Belgjikë, Holandë dhe Francë) përfaqësues që nga njëra anë menaxhojnë marrëdhëniet me emisarët e grupeve të Amerikës së Jugut furnizuese të kokainës, dhe nga ana tjetër janë bërë të rëndësishëm vitet e fundit në stoqimin e kokainës në portet holandeze dhe belge, e cila më pas shpërndahet në tregun evropian.
Shqipëria, si vend prodhues, është gjithashtu një epiqendër për shpërndarjen e kanabisit në Evropën Perëndimore, veçanërisht në Itali, Kroaci, Hungari, Republikën Çeke, Austri, Francë, Gjermani dhe sidomos në Holandë, ku organizatat kriminale shqiptare dhe ato marokene bashkëpunojnë aktivisht në tregtinë e paligjshme.
Sa i përket bashkëpunimeve me grupe kriminale të huaja, informacionet hetimore tregojnë se grupet shqiptare kanë arritur një kontroll të gjerë të trafikut duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me kriminalitetin turk, për të siguruar tranzitin e heroinës përmes “rrugës ballkanike”, me ndihmën e krimit bullgar kartelet kolumbiane, për blerjen e sasive të mëdha të kokainës direkt në vendet e prodhimit; kriminalitetin magrebian, për shitjen dhe shpërndarjen në rrugë të drogave; elementë kriminalë nga ish-Jugosllavia dhe grupe rumune, për veprimtari të tjera të lidhura me trafikun e drogës; kriminalitetin nigerian, si grupi i huaj më i strukturuar, i shtrirë dhe me ndikim në trafikun ndërkombëtar të drogës, sidomos të kokainës.