'Banorët e Durrësit të braktisur nga qeveria'/ Qytetarja: Prej 6 vitesh jetojmë mes plehrave, mbyllemi në shtëpi që në 8 të darkës
Një situatë alarmante paraqitet në një prej zonave të banuara të Durrësit, ku qytetarët bashkëjetojnë prej vitesh me mbeturinat, ujërat e ndenjura dhe pasigurinë. Një banore e zonës denoncon gjendjen e rëndë, e cila sipas saj ka nisur prej gjashtë vitesh, që pas tërmetit.
“Gjendja këtu është e tmerrshme. Mbeturina, ujë, aty plot me plehra, drogali. Nuk kemi as pastërti, nuk hapim dot dritaret. Jemi sëmurë, kush e di sa herë kemi vajtur në spital,” shprehet ajo, duke treguar se edhe pas ndërhyrjeve sporadike për pastrim, situata kthehet në pikën zero brenda pak ditësh.
Problemi më i madh, përveç mungesës së theksuar të higjienës, është pasiguria.
Banorja pohon se zona është kthyer në një pikë grumbullimi për përdorues të lëndëve narkotike, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes. “Të vish në darkë, mbas orës 9, këtu e ke plot. Mbushet me njerëz të moshave të ndryshme,” thotë ajo.
Kjo situatë ka krijuar një klimë frike, duke i detyruar banorët të mbyllen në shtëpitë e tyre që në orët e para të mbrëmjes. “Kemi frikë. Mbyllemi që në orën 8, e mbyllim derën. Unë jam në katin e parë dhe kam frikë se mos hidhet dikush të hyjë brenda,” rrëfen qytetarja. Pasiguria ka bërë që fëmijët të mos lejohen më të dalin jashtë për të luajtur.
Pavarësisht ankesave, sipas banorëve, institucionet përgjegjëse, përfshirë bashkinë, nuk kanë marrë asnjë masë konkrete për të dhënë një zgjidhje afatgjatë.
Zona pastrohet, por shumë shpejt kthehet në një vendgrumbullim mbeturinash, pasi persona të tjerë vijnë dhe i hedhin aty. Banorët ndihen të braktisur dhe kërkojnë një ndërhyrje urgjente për të normalizuar jetesën e tyre.
Deklarata e banores për Syri TV:
"Po gjendja këtu moj motër, ja, shikoje vetë si është. Mbeturina, ujë, aty plot me plehra, drogali. Nuk kemi, nuk kemi as pastërti, asgjë, nuk hapim dot dritaret. Jemi sëmurë, kush e di sa herë kemi vajt në spital. Urdhëro, ja. Erdhën e pastruan, e hoqën ujin, a është mbushur prapë.
Gjashtë vjet këtë punë kemi pasur ne. Që se ka rënë tërmeti e deri tashti ne vetëm plehra kemi pasur këtu.
Mbeturinat, u hoqën, u pastruan, tashti filluan, ja, kanë dalë prapë nga uji. Urdhëro. Të vish në darkë, mbas orës 9, këtu e ke plot. Do goca të reja, do nuse të reja, do çupa, lloji-lloji moshash njerëzish. Mbushet plot.
Fëmijët s'i nxjerrin fare njerëzit këtu. Asnjë, s'dalin fëmijët jashtë këtu te neve. Asnjëherë.
Problem është dhe kemi frikë. Në darkë kemi frikë. Mbyllemi që në orën 8, e mbyllim derën se kemi frikë. Unë jam këtu te kati i parë, kam frikë me zonjë. Hidhet tjetri që andej të hyjë brenda.Shqetësuese shumë. As s'kanë marrë masa, as bashkia, asnjë. As e prishin, as e rregullojnë, asgjë moj zonjë, të marrin një masë se dhe ne nuk dimë çfarë të bëjmë. Po zihemi me njerëzit. Kalojnë njerëzit hedhin mbeturinat. Është bërë kosh plehrash. E pastruan tani ata, për një javë këtu e ke prapë plot. Vijnë i hedhin plehrat, mbeturinat"