'65% e Buxhetit te Balluku dhe Rama', Çapja: Transparenca ndaj qytetarëve po pengohet nga mazhoranca

Deputetja e Partisë Demokratike, Klodiana Çapja, e ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto' e cilësoi parlamentin aktual si “më të keqdrejtuarin e të gjitha kohërave”, ku opozitës i pritet fjala dhe i mohohet replika. Ajo solli në vëmendje faktin se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Balluku, menaxhon rreth 65% të buxhetit të shtetit.

“65% e taksave të qytetarëve shkojnë te ky thesi i madh i Belinda Ballukut dhe Edi Ramës”, deklaroi ajo, duke shtuar se pikërisht për këtë arsye, kryeministri po bën përpjekje për ta mbrojtur atë nga drejtësia.

Sipas deputetes, mbrojtja e Ballukut nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një modeli qeverisës ku personat e përfshirë në afera korruptive promovohen. Ajo theksoi se presioni i Ramës ndaj drejtësisë dërgon një mesazh të qartë se “sa më shumë që ti vjedh dhe dënohesh, aq më shumë më duhesh mua”.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur disa zyrtarë të lartë dhe ish-zyrtarë të mazhorancës, përfshirë Belinda Ballukun dhe disa kryebashkiakë, janë nën hetim ose të dënuar për afera korruptive.

Akuzat për një qeveri që funksionon me delegim dhe një kryeministër të shkëputur nga drejtimi i përditshëm i vendit ngrenë pyetje serioze mbi llogaridhënien dhe funksionimin e shtetit.

Deklarata e plotë:

"Ndoshta unë jam kaq fatkeqe sa mendoj që ky kuvend, ky parlament është parlamenti më i keqdrejtuari i të gjitha kohërave, sepse shikojmë që i pritet fjala opozitës, nuk i lejohet replika, si deputete për herë të parë mu desh të kalonte seanca e 13-të që të arrija të bëja fjalimin tim të parë, ndërkohë që duhet të isha përfaqësuese e qytetarëve të qarkut të Elbasanit, duhet të ngrija shqetësimet dhe problematikat e qytetarëve të Elbasanit. 

13 seanca për të mbajtur fjalën e parë, na ka kaluar ligji i mbetjeve pa diskutim, ka kaluar dëgjesa që bëmë me ERU-n, institucionin përgjegjës për për kontrollin e ujit dhe këto çmimet i rrisin, ujë nuk sjellin, probleme kanë pafund. Ndërkohë, për dëgjesë dhe diskutim nuk pranojnë. Mjafton që kanë forcën e kartonit, ngrenë kartonat.

Atëherë, patëm gjatë komisionit të ftuar zonjën Balluku, sikurse çdo ministre e cila ka përgjegjësinë që projekt-buxhetin ta relatojë përpara komisionit përgjegjës dhe unë si deputete e Partisë Demokratike bëj pjesë pikërisht në komisionin e burimeve natyrore, infrastrukturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Dhe sipas nenit 40 të rregullores, ministrja që duhet të ishte para deputetëve.

Ne pa diskutim që i morëm seriozisht dhe ishim përgatitur për një sërë pyetjesh, jo për opozitën, por për të bërë transparencë për qytetarët. Ku shkojnë taksat e qytetarëve?

60% e buxhetit. Mbi 60, 65% e buxhetit të shtetit dhe këtu t'ia themi qartë qytetarëve, 65% e taksave të qytetarëve shkojnë te ky thesi i madh i Belinda Ballukut dhe Edi Ramës dhe prandaj besoj fort që Edi Rama bën këto përpjekje para drejtësisë për të mos e lëshuar Belinda Ballukun.

Besoj që jo, se më shumë buxhet për ata është më shumë vjedhje. Unë nuk i ndaj dot të dy. Për mua rasti i Belindës shkon paralel me kryeministrin e vendit, zotin Edi Rama.

Atëherë unë besoj që Edi Rama me këto kërkesa që i dhe presione që po i bën drejtësisë për rastin Balluku, jep qartazi një mesazh të keq për shqiptarët, përtej të majtës dhe për të djathtën. Këtu jam përtej bindjeve politike.

Ajo jep mesazhin që ti mund të jesh e pandehur, ti mund të bësh korrupsion në këtë vend, por sa më shumë që ti vjedh dhe dënohesh dhe je e pandehur dhe je para drejtësisë, aq më shumë më duhesh mua.

E tha zyrtarisht dhe dëgjova pikërisht, unë nisa dhe nga deklarata e mbrëmshme për këtë që po them. Domethënë, të gjithë vjedhjet ai mbase e ka dhe model të tij, se po të shikojmë, dhe kryetarët e bashkive, kemi rastin para, edhe të paraardhësit të zonjës Balluku, që tashmë është zëvendës Ahmetaj që është në arrati.

Kështu që kam përshtypjen, këta persona që vjedhin më shumë, këta persona që bëjnë më shumë korrupsion, Edi Rama ka model të tij qeverisës t'i promovojë sa më shumë edhe e lidh direkt dhe me rastin e zonjës Balluku".