Hansi Flick pas humbjes me Çelsin: Duhet t’i analizojmë të gjitha

Barcelona është mundur në transfertë përballë Çelsit dhe Hansi Flick ka pranuar se tashmë për katalanasit do të bëhet shumë e vështirë që të luftojnë për tetëshen e parë.

Ekipi një vit më parë zhvilloi një fazë lige thuajse perfekte, por tashmë katalanasit e shohin veten jashtë tetëshes e duhet të jenë të pagabueshëm në ndeshjet e mbetura që të kenë shanse.

“Nuk e shënuam golin e parë në atë mundësi të shkëlqyer. Pastaj, të luash me një lojtar më pak kundër këtij Çelsi nuk është e lehtë. Luftuam shumë dhe pashë disa gjëra pozitive, por humbëm shumë shpesh topin. Kjo është e gjitha që mund të them. Humbëm topa dhe pasime të lehta. Duhet t’i analizojmë të gjitha këto.

Nuk e di sa minuta ishin, por luajtëm shumë me një lojtar më pak. Çelsi është një ekip shumë i mirë me topin. Është diçka që duhet ta pranojmë, por duhet të mendojmë edhe për gjërat pozitive.

Tani është e vështirë të përfundosh në tetë vendet e para, por do të përpiqemi”, tha Flick pas ndeshjes.