Reshjet e shiut në qarkun e Elbasanit, situata nën kontroll/ Priten njoftime për shkarkimet nga HEC Banja
Në qarkun e Elbasanit, që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, 26 nëntor 2025, janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar, të cilat vijojnë me të njëjtin ritëm.
Sipas komunikimeve me strukturat e Emergjencave Civile në bashkitë e qarkut, situata deri në këto momente paraqitet pa probleme dhe nuk raportohet për ndërprerje qarkullimi ose dëme.
Të gjitha akset rrugore, si ato kombëtare ashtu edhe rurale, janë të hapura për qarkullim dhe deri tani nuk janë evidentuar rrëshqitje dheu, inertesh apo gurësh në rrugë.
Edhe prurjet e lumenjve dhe përrenjve mbeten në kuota mesatare, pa rrezik për dalje nga shtrati apo përmbytje.
Sa i përket shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës, pritet njoftimi zyrtar për ditën e sotme, ndërsa dje shkarkimet kanë qenë në nivelin 150 m³/sek dhe 100 m³/sek për prodhimin.
Burimet nga terreni bëjnë të ditur se aktualisht, si pasojë e këtyre shkarkimeve, nuk ka probleme në zonën e Sulovës. Nëse reshjet vazhdojnë me të njëjtin ritëm, strukturat vendore të emergjencave pritet të vijojnë monitorimin e situatës në terren.