Banorët e Zall Gjoçajt protestojnë para Gjykatës së Lezhës kundër ndërtimit të HEC-eve
Banorë dhe aktivistë nga fshatrat Zall Gjocaj në Mat dhe Lufaj në Mirditë protestuan këtë të mërkurë para Gjykatës së Lezhës, në mbështetje të tre qytetarëve të këtyre zonave që janë paditur për “Fyerje” dhe “Shpifje” nga kompania që ka ndërtuar HEC-et në këtë rajon.
Sipas të paditurve, kjo padie përbën një presion të hapur ndaj tyre, ndërsa ata akuzojnë kompaninë për dëmtimin e mjedisit dhe shkatërrimin e zonës. Banorët kërkojnë që drejtësia të veprojë në mënyrë të barabartë dhe të hetojë kallëzimet që ata kanë bërë më parë për fallsifikime dhe shpërdorim detyre.
LEXO EDHE: Protestë për mbrojtjen e burimeve ujore, banorët: Drejtësi për Zall Gjoçajn
Banorët dhe aktivistët theksuan se ndërtimi i HEC-eve ka shkaktuar një katastrofë mjedisore në këto zona, duke i bërë ato të vështira për t’u banuar.
Përmes kësaj padie, kompania “Seka Hydropower” Shpk kërkon shpalljen fajtor dhe dënimin e shtetasve Jorgji Locaj, Dhimiter Koleci dhe Adem Xhokola për veprat penale “Fyerja” dhe “Shpifja”, duke pretenduar se deklaratat e tyre publike kanë dëmtuar imazhin e kompanisë.