Shirat e rrëmbyeshëm paralizojnë Lezhën, ujërat pushtojnë lagjen 'Besëlidhja'
Reshjet e dendura të shiut të rëna gjatë natës kanë shkaktuar probleme serioze në qytetin e Lezhës, ku kanalizimet nëntokësore nuk kanë përballuar dot nivelin e lartë të prurjeve.
Si pasojë, ujërat kanë dalë në sipërfaqe duke shkaktuar përmbytje në bllokun e banimit “11 Janari” të lagjes Besëlidhja.
Banorët janë përballur me vështirësi në lëvizje që prej mëngjesit, ndërsa niveli i ujit ka mbuluar rrugët dhe hapësirat e përbashkëta.
Autoritetet vendore deklarojnë se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se të gjitha ekipet janë të angazhuara për normalizimin e gjendjes.