Plani i Paqes/ Trump: Witkoff në Moskë për detajet e fundit! Takoj Putin e Zelenskin nëse arrihet marrëveshja
Presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaron se do të takojë Putin dhe Zelenskyn vetëm nëse marrëveshja mbyllet.
“Po pres me padurim të takoj Zelensky-n dhe Putinin, por vetëm kur marrëveshja për t’i dhënë fund kësaj lufte të jetë përfundimtare ose në fazat e saj përmbyllëse,” shkroi Donald Trump në platformën Truth.
Trump shtoi se “kanë mbetur vetëm disa pika mosmarrëveshjeje mbi planin për Ukrainën".
Ndërsa është në pritje që marrëveshja e paqes të finalizohet, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff do të niset drejt Moskës të takohet me Putin për detajet e fundit të marrëveshjes ndërsa sekretari i Ushtrisë amerikane, Dan Briscoll do të takohet me palën ukrainase.
“Javën e fundit, ekipi im ka bërë përparime të mëdha për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës (një luftë që kurrë nuk do të kishte nisur po të isha president!). Muajin e kaluar humbën jetën 25,000 ushtarë,” theksoi Trump.
“Plani origjinal i paqes me 28 pika, i hartuar nga Shtetet e Bashkuara, është përmirësuar me inpute të mëtejshme nga të dyja palët, dhe kanë mbetur vetëm disa pika mosmarrëveshjeje,” siguroi ai, shkruan la Repubblica.
Këtu hyjnë misionet në Moskë dhe Kiev. “Do të jem i informuar për të gjitha përparimet e bëra, së bashku me zv/presidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio, sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe kreun e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Ëiles,” shpjegoi ai.
“Të gjithë shpresojmë që paqja të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur,” përfundoi Trump.