Serbia arreston ish luftëtarin e UÇK-së/ Kosova informon vendet e QUINT-it: Rrisni presionin ndaj Beogradit
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka njoftuar se menjëherë pas marrjes së informatave për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë ndërmarrë hapat për konfirmimin e informacionit dhe më pas janë kontaktuar shtetet e QUINT-it.
MPJD ka njoftuar se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka informuar Delegacionin e BE-së në Serbi dhe, po ashtu, i ka dërguar notë verbale misioneve diplomatike të QUINT-it të akredituara në Serbi.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka njoftuar për rastin edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe lidhur me procedurat e ndërmarra. Gjithashtu, është dërguar tashmë notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës. Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës së personit të arrestuar sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet”, ka njoftuar MPJD-ja nëpërmjet një postimi në Facebook.
MPJD ka bërë të ditur se është e angazhuar për ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë.
“Edhe njëherë, MPJD i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, ka thënë MPJD.
Ish-ushtari i UÇK-së, Avni Qenaj, është arrestuar në Serbi të martën e 25 nëntorit.
Sipas Ministrisë serbe për Punë të Brendshme, ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, ka thënë se bëhet fjalë për ish-luftëtarin e UÇK-së, Avni Qenaj nga fshati Romajë të cilit i ishte gjetur edhe një kartelë e veteranit të UÇK-së.