VIDEO/ Nezaj: Deklarata e Marta Kos për zgjedhjet tejkalon sjelljen diplomatike

Gazetari Sami Nezaj, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ të Sonila Meços në SYRI TV, ka analizuar vizitën e Marta Kos në Shqipëri dhe deklaratat e saj mbi zgjedhjet, duke i cilësuar ato si të papërshtatshme me etikën diplomatike.

Sipas Nezajt, ‘natyrisht që nuk është sjellje diplomatike’, pasi qëndrimi i Kos ‘tejkalon kufijtë e sjelljes diplomatike dhe shkon shumë përpara, një farë para-diplomacie’, e cila, sipas tij, nuk lidhet as me gjestet, as me kontekstin ku zhvillohen.

Ai u ndal edhe te mënyra familjare se si Marta Kos ju drejtua kryeministrit Rama.

‘Personi të cilit Kos i drejtohet me Edi, një farë ‘friendship’-i shumë më tepër se sa mund të kenë dy zyrtarë të rëndësishëm, tregon se ajo ose nuk është e informuar, ose nuk e vlerëson situatën në Shqipëri’.

Nezaj theksoi se Rama nuk ka përmbushur asnjë kusht real për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

‘Përveç kritereve burokratike, hapjes së kapitujve, nuk ka bërë asgjë tjetër. Nuk ka përmbushur asnjë kusht dhe nuk po punon për të përmbushur ndonjë kusht tjetër që i duhet Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së, qoftë në 2028-ën, qoftë në 2029-ën, siç predikon Kos’.

Sipas gazetarit, dëshira që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së është legjitime, por situata aktuale nuk lejon iluzione.

‘Situata e demokracisë, ekonomisë, shkatërrimi social, është një situatë që e kemi në kurriz gjithë ditën. Nuk e shohim në kinema për dy orë, por e jetojmë’.

Nezaj paralajmëroi se, edhe nëse Shqipëria do të anëtarësohej në BE, rrezikon të mbetet me të njëjtat probleme të brendshme.

‘Ky vend do vetëqeveriset nga shqiptarët…’, tha ai, duke nënkuptuar se problemet nuk do të zhduken automatikisht me integrimin.

Gazetari komentoi edhe notën verbale të Partisë Demokratike drejtuar trupit diplomatik, të cilën e konsideroi një hap të rëndësishëm.

‘Është një nivel tjetër i polemikës me ndërkombëtarët, një nivel i emancipuar. Pushteti i diplomatëve që ka zëvendësuar median ka filluar të dobësohet’.

Ai kujtoi se dikur deklaratat e ambasadorëve ishin të padiskutueshme, ndërsa sot situata ka ndryshuar.

‘Tani ne ndërtojmë polemika edhe me diskursin që vjen prej ndërkombëtarëve. Dhe është një gjë shumë e mirë’.