Banorët beduin në Izrael detyrohen që të largohen nga banesat e tyre brenda 90 ditëve

Fshati beduin Ras Jrabah në Negev, i vendosur në lindje të Dimonës, po përballet me zhvendosje brenda 90 ditësh, pasi Gjykata e Lartë e Izraelit rrëzoi apelimin e banorëve për legalizimin e vendbanimit dhe përfshirjen e tyre në një lagje të re hebraike që planifikohet të ndërtohet mbi tokat e tyre historike.

Vendimi shënon fundin e një beteje gjashtëvjeçare ligjore dhe u konsiderua nga shumë aktivistë si një goditje e rëndë ndaj komunitetit beduin.

Rreth 500 banorë, të cilët shteti i ka njohur si përdorues të autorizuar të tokës që nga periudhat osmane dhe britanike, pritet të zhvendosen pa një alternativë të qëndrueshme strehimi. Ngjashëm me rastin e fshatit Umm al-Hiran, ky vendim shihet si vazhdim i një politike që i largon beduinët nga tokat e tyre për t’i hapur rrugë ndërtimeve për banorë hebrenj, pa marrë parasysh nevojat dhe lidhjet historike të komuniteteve vendëse.

Organizatat Bimkom dhe Adalah kishin propozuar plane për integrimin e fshatit brenda qytetit të Dimonës, por Autoriteti për Zhvillimin e Beduinëve në Negev i refuzoi ato. Ndërkohë, një vendim i mëparshëm i Gjykatës së Qarkut, i cili kishte kërkuar rishikimin e planit urbanistik për shkak të mangësive serioze, u anashkalua nga vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë.

Avokatët dhe aktivistët argumentojnë se vendimi i Gjykatës së Lartë forcon një mekanizëm ndarjeje institucionale, duke i detyruar beduinët të zhvendosen vetëm në “komunitete beduine” dhe duke i përjashtuar nga lagjet hebraike, edhe në rastet kur ato ndërtohen mbi tokat e tyre. Gjykata pretendon se ky rregullim është “përfitim” për banorët, pasi u garanton parcela të subvencionuara vetëm brenda vendbanimeve beduine.

Si alternativë, shteti ka ofruar zhvendosjen në Qasr al-Sir me parcelë falas dhe grante për ndërtim, por banorët thonë se tokat e propozuara janë të kontestuar dhe se pronarët aktualë i kundërshtojnë zhvendosjet, çka mund të sjellë edhe përplasje fizike. Ata shprehen se nuk janë kundër zhvendosjes në vetvete, por kërkojnë një zgjidhje të sigurt dhe të drejtë që u mundëson të mbeten në zonën ku familjet e tyre kanë jetuar prej brezash.