Berisha ndan videon nga protesta: Rrugët e Lubisë e Ramës u shembën njëra pas tjetrës, pse nuk lëvizi skarpata e Rrugës së Kombit?

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një video në rrjetet e tij sociale me pamje nga protesta maratonë e mbrëmshme e zhvilluar përpara Kryeministrisë. Në postim, Berisha shfaqet në foltoren e ngritur për protestën ku, gjatë fjalës së tij, akuzon qeverinë për korrupsion dhe mungesë cilësie në ndërtimin e rrugëve.

Duke iu referuar rrëshqitjeve të fundit të skarpatave në disa segmente rrugore, ai ngriti pyetjen pse zona të njohura për rrezikshmëri gjeologjike, si skarpatat në aksin Gjirokastër–Tepelenë apo në Rrugën e Kombit, nuk kanë pësuar dëmtime, ndërsa, “rrugët e Ramës dhe të Lubisë u shembën njëra pas tjetrës”.

Berisha theksoi se pjesa kryesore e kostos së një rruge lidhet me fortifikimin dhe mbrojtjen e skarpatave, duke akuzuar qeverinë se ka rritur çmimet e punimeve dhe ka prodhuar vepra të pasigurta.

“Urdhëroni çfarë ndodh tani, pasi kanë katërfishuar çmimet”, shprehet ai në fjalën e publikuar në video.

Postimi u shoqërua me mbishkrimin: “Rrugët e Ramaduros dhe Lubisë bien, si gjithçka që ndërtohet mbi mashtrim e korrupsion.”

Pjesë nga fjala e Berishës: 

Sigurisht këto ditë ishin mote të mëdha, të pamohueshme.

Pa pyesni pak, pse nuk lëvizën skarpatet në Gjirokastër-Tepelenë?

Në rrafshin gjeologjik, ajo është skarpata më e rrezikshme.

Këto ditë pati mote të mëdha, pse nuk lëvizi skarpata e Rrugës së Kombit? E dini vetë si janë skarpatat e tij.

Pse nuk lëvizi skarpata e rrugës Fratar-Memaliaj. Shkoni dhe e shihni si janë.

Kurse rrugët e Lubisë dhe të Ramës u shembën njëra pas tjetrës.

Po, miqtë e mi, se kur ndërtohet rruga, pjesa e madhe e investimit shkon me ngurtësimin, me mbrojtjen nga skarpata.

Skarpata është pjesë edhe më e rëndësishme se vetë rruga.

Urdhëro se çfarë ndodh tani.

Dhe ndodh pasi kanë katërfishuar çmimet.