Tokat bujqësore nën ujë, fermerët e Lezhës përballen me dëme të parikuperueshme

Përmbytjet e ditëve të fundit kanë goditur rëndë sektorin bujqësor në qarkun e Lezhës, duke lënë pas një situatë të rënduar në zonat e Spitenit dhe Treshit të njësisë administrative Zejmen. Prej gjashtë ditësh, dhjetëra hektarë tokë që mbajnë kulturat e sezonit janë të mbuluara nga uji, ndërsa fermerët thonë se prodhimi i këtij viti mund të konsiderohet i humbur. Ne kete situate te krijuar, fermeret thone se i vetmi qe i ka vizituar ata ka qene vetem Syri televizion.

Në parcelat ku zakonisht shihen lëvizjet e fermerëve, sot qëndrojnë pulëbardhat, teksa uji ka pushtuar gjithçka.

Banorët e zonës shprehen se çarja e argjinaturës vetëm sa e përkeqësoi një problem që përsëritet çdo vit, ndërsa hapja e kanaleve kulluese edhe këtë herë nuk arriti të shmangte përmbytjen.

Edhe pse mbjelljet e grurit dhe jonxhës janë faza më e rëndësishme e sezonit, këto kultura ndodhen aktualisht nën ujë.

Fermerët parashikojnë se me ritmin e ngadaltë të tërheqjes së ujërave, tokave do t’u duhen të paktën edhe 10 ditë të tjera për t’u tharë.

Për ta, kjo do të thotë humbje totale dhe një barrë e re ekonomike që shumë prej tyre nuk mund ta përballojnë pa ndihmën e fëmijëve në emigracion.

Në Zejmen raportohen rreth 150 hektarë tokë të përmbytur, ndërsa në të gjithë qarkun Lezhë sipërfaqja totale e tokës bujqësore nën ujë arrin deri në 300 hektarë, duke e bërë bujqësinë sektorin më të dëmtuar nga reshjet e kësaj jave.