'Dy vite pa rikonstruksion'/ Gjendja e rrugës drejt kampusit dhe Eko Parkut shqetëson banorët dhe kalimtarët
Studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës po përballen çdo ditë me vështirësi të mëdha për shkak të gjendjes së amortizuar të rrugës që lidh kampusin universitar me qytetin dhe projektin e madh të Eko Parkut.
Prej më shumë se dy vitesh, infrastruktura e dëmtuar ka sjellë shqetësime për kalimin e makinave dhe përbën një rrezik të vërtetë për aksidente.
Rruga nuk shërben vetëm për studentët, por lidh edhe Porto Romanon dhe zonën e Sektor Rinisë, duke e bërë gjendjen e saj problem për një numër të madh banorësh dhe përdoruesish të përditshëm.
Banorët dhe kalimtarët kërkojnë ndërhyrje urgjente për rikonstruksionin e aksit rrugor, për të shmangur aksidentet dhe për të lehtësuar lëvizjen në këtë zonë kyçe të qytetit.