Sot Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shpallur 25 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, një datë që prej vitit 1999 u bën thirrje qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe OJQ-ve të zhvillojnë aktivitete sensibilizuese kundër dhunës me bazë gjinore.
Në këtë ditë nis edhe fushata globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila zgjat deri më 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Çdo vit, fushata apelon për veprime konkrete që synojnë parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Pavarësisht përparimeve, dhuna ndaj grave mbetet një nga shkeljet më të përhapura dhe më shkatërruese të të drejtave të njeriut. Sipas të dhënave globale, një në tre gra përjeton dhunë gjatë jetës së saj, ndërsa heshtja, stigma dhe mosndëshkimi kanë lejuar që ky fenomen të marrë përmasa shqetësuese.
Të dhënat e fundit të OKB-së tregojnë se rreth 83 mijë gra u vranë qëllimisht në mbarë botën vitin e kaluar, dhe në 60% të rasteve autorët ishin partnerë apo anëtarë të familjes. Megjithëse shifra është pak më e ulët se një vit më parë, ekspertët theksojnë se kjo nuk përfaqëson një ulje reale të femicideve, por lidhet kryesisht me ndryshimet në disponueshmërinë e të dhënave.
Sipas raportit, femicidet janë veçanërisht të larta në vendet afrikane, të ndjekura nga Amerika e Jugut dhe ajo e Veriut. Ndërsa në vendet aziatike dhe evropiane, numri mbetet më i ulët në raport me popullsinë, por fenomeni vazhdon të kërkojë vëmendje dhe masa të forta parandaluese.
Dita e sotme shërben si një thirrje e fuqishme për veprim, përmirësim të kuadrit ligjor, ndryshim të normave shoqërore dhe fuqizim të grave dhe vajzave në të gjithë botën.