Milano/ Rrjet ndërkombëtar droge - Rol qendror shqiptarët: 28 të arrestuar, trafik mbi 27 milionë euro
Nga Alba Kepi/
Një operacion i gjerë i Guardias së Financës ka goditur një nga rrjetet më të strukturuara kriminale të viteve të fundit, ku figuronte një bërthamë e fuqishme shqiptarësh të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Nën urdhër të Prokurorisë së Milanos dhe me koordinimin e Direzione Nazionale Antimafia, janë ekzekutuar masa sigurie ndaj 28 personave (25 në burg dhe 3 në arrest shtëpie), pjesë e një organizate të armatosur që operonte mes Italisë, Evropës Veriore dhe Amerikës së Jugut.
Hetimet zbuluan se, në bashkëpunim me strukturat e ’Ndranghetës së Locride-s, brokerë shqiptarë kishin rol vendimtar në kontaktet me furnizuesit e kokainës në Kolumbi e Brazil, si dhe në menaxhimin e trafikut drejt porteve evropiane. Përmes tyre, organizata ka transportuar dhe shpërndarë lëndë narkotike me një vlerë prej mbi 27 milionë euro, duke përdorur sisteme komunikimi të enkriptuar dhe rrjete logjistike të shpërndara në disa shtete.
Në Lombardi ishte ngritur një qendër operative me degëzim në Gjermani, Holandë, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, por drejtimet e furnizimit dhe marrëveshjet kryesore mbaheshin nga ndërmjetës shqiptarë me lidhje të qëndrueshme me kartelët e Amerikës së Jugut.
Trafiku zhvillohej kryesisht përmes teknikës së “rip-off”, ku kokaina fshihej brenda kontejnerëve të transportit të rregullt detar. Përmes kësaj skeme janë dokumentuar mbi 3.5 ton kokainë, nga të cilat rreth 400 kilogramë janë sekuestruar gjatë operacioneve në Itali dhe jashtë saj.
Bashkëpunimi me Eurojust dhe Europol ka qenë vendimtar, duke mundësuar zbërthimin e komunikimeve të enkriptuara dhe identifikimin e plotë të strukturës kriminale, ku shqiptarët luajnë rol thelbësor në menaxhimin ndërkombëtar të trafikut dhe në lidhjen me tregjet furnizuese të Amerikës së Jugut.