Hiri vullkanik nga Etiopia mbërrin në Delhi: Anulohen dhe devijohen dhjetëra fluturime
Një sasi e madhe hiri vullkanik nga shpërthimi i vullkanit Hayli Gubbi në Etiopi 'ka udhëtuar' përmes Detit të Kuq, Omanit dhe Jemenit, duke mbërritur deri në Delhi dhe duke shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në trafikun ajror në Indi. Lajmi u konfirmua nga Departamenti Indian i Meteorologjisë (IMD).
Vullkani Hayli Gubbi, i cili ka qenë i fjetur për mijëra vite, shpërtheu të dielën në mëngjes duke çuar në atmosferë një shtyllë masive hiri që arriti lartësi deri në 15 kilometra. Reja e hirit ka detyruar autoritetet indiane të aviacionit të urdhërojnë linjat ajrore që të shmangin rreptësisht zonat e prekura, ndërsa fluturimet janë anuluar, vonuar ose devijuar.
Air India anuloi 11 fluturime, ndërsa IndiGo, Akasa Air dhe KLM raportohen gjithashtu të prekura. Aeroporti i Mumbait u ka bërë thirrje pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve para nisjes, për shkak të situatës së paqëndrueshme.
Sipas IMD, hiri është i pranishëm në lartësi nga 8.5 deri në 15 km mbi nivelin e detit, çka përbën rrezik serioz për motorët e avionëve dhe dukshmërinë. Megjithatë, ekspertët thonë se nuk pritet ndikim në cilësinë e ajrit në Delhi, e cila edhe pa hirin vullkanik renditet në nivelin “shumë e dobët”.
“Reja e hirit ka arritur Indinë veriore dhe po lëviz drejt Kinës. Ndikimi është i përkohshëm dhe nuk do të ndryshojë kushtet e motit,” deklaroi drejtori i IMD-së, Mrutyunjay Mohapatra.
Kohëzgjatja e qëndrimit të hirit në atmosferë mbetet e paqartë. Agjencia private Skymet Weather thotë se shpërndarja e tij është e vështirë të parashikohet, por IMD vlerëson se qielli i Delhit mund të pastrohet deri në mbrëmjen e së martës.
Ndërkohë, rregullatori i aviacionit indian u ka kërkuar pilotëve të raportojnë menjëherë çdo shenjë kontakti me hir vullkanik, duke përfshirë probleme me motorët, tym apo erë të çuditshme në kabinë. Linjat ajrore janë detyruar të inspektojnë avionët që operojnë pranë zonave të rrezikshme dhe të pezullojnë fluturimet nëse situata përkeqësohet.
Edhe pse re të tilla hiri janë të rralla, kujtohet se në vitin 2010 shpërthimi i vullkanit islandez Eyjafjallajökull çoi në mbylljen e hapësirës ajrore europiane dhe shkaktoi kaosin më të madh ajror që prej Luftës së Dytë Botërore./BBC-Syri.net