'Dimri mbërrin në Shishtavec'/ Kryeplaku i fshatit: Rrjeti elektrik i vjetër, ndërprerjet e energjisë janë të shpeshta
Në Shishtavec, dimri ka mbërritur me temperatura të ulëta dhe borë që ka mbuluar bjeshkët e zonës. Banorët e fshatit pritet të përballen sërish me ndërprerje të energjisë elektrike gjatë gjithë dimrit.
Kryeplaku Mehmet Bala tregon se rrjeti elektrik është i vjetër, i ndërtuar në vitet ’70, dhe ndërprerjet janë të shpeshta, sidomos gjatë natës.
Një tjetër problem është segmenti 1 kilometër i rrugës hyrëse për në fshat, i cili bllokohet shpesh nga bora dhe erërat e forta.
Kompania që mirëmban rrugën Kukës–Shishtavec–Dogana nuk ka në kontratë pastrimin e këtij segmenti, ndaj fshati mbetet shpesh i izoluar nga reshjet e dëborës.
Aktualisht në Shishtavec jetojnë 138 familje, pothuajse të gjitha të moshuar.
Dikur fshati kishte mbi 400 familje, por emigrimi i vazhdueshëm ka ulur ndjeshëm numrin e banorëve dhe po e çon zonën drejt shpopullimit.