Deputeti i PDK: Qytetarëve u mungon dinjiteti, kjo është tragjedia më e madhe e Kosovës
Hisen Berisha, deputet i PDK në Kosovë, gjatë intervistës në ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, tha se institucionet shtetërore dhe procedurat kushtetuese po shfrytëzohen si “dekor elektoral” dhe skena propagandistike, një situatë që vazhdon për shkak se, sipas tij, qytetarët nuk kanë treguar nivelin e duhur të dinjitetit për ta ndalur këtë fenomen.
Berisha argumentoi se kur një popull nuk arrin të mbajë institucionet e veta dhe të vetëqëndrojë, e drejta ndërkombëtare parashikon mekanizma si doktrina “Right to Protect” (E Drejta për të Mbrojtur), ku një forcë ndërkombëtare mund të ndërhyjë për ta “shpëtuar” atë shtet. Ai theksoi se qytetarët duhet të kenë një “kod moral” që i aktivizon kur dikush abuzon me të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Pikërisht largimi i të rinjve u cilësua si “tragjedia më e madhe” e vendit, më e rëndë se çdo kërcënim i jashtëm. “Nuk ka sot fëmijë që e përfundon universitetin dhe sheh të ardhmen e vet në Kosovë,” u shpreh deputeti i PDK. Sipas tij, realiteti i hidhur është se sapo një i ri diplomohet, plani i tij paralel është të mësojë një gjuhë të huaj, si anglishtja apo gjermanishtja, me synimin e vetëm për t'u larguar nga Kosova.
HISEN BERISHA: Kështu që, Kosova ka hyrë faktikisht në këtë fushatë zgjedhore në mënyrën më tragjike të mundshme duke përdorur institucionet edhe si lloj-lloj skene propagandistike, ose procedurat kushtetuese i kanë përdorur si dekor elektoral dhe normal që po vazhdojnë t'i përdorin derisa qytetarët nuk kanë treguar nivelin e dinjitetit që t'i ndalin, se shihni, në qoftë se e drejta ndërkombëtare ka institutin...
Në qoftë se e drejta ndërkombëtare ka institucionin apo institutin R2P, Right to Protect, kur një popull, një shtet nuk di të mbajë institucione, nuk di të vetëqëndrojë, atëherë është një shtet që ka supremacinë ndërkombëtare dhe e shfrytëzon këtë institut dhe ndërhyn në atë shtet për ta shpëtuar, nëse duan ta shpëtojnë si të tillë. Prandaj qytetarët duhet ta kenë këtë kod moral të vetin. Se kur dikush abuzon me ta, abuzon me të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Që unë po ta them veç një kështu po e lëshoj popullore. Nuk ka sot fëmijë, fatkeqësisht, tash kam rrit edhe vetë këtu, që e përfundon universitetin, pretendon me dalë me diplomë në fushë të caktuar dhe sheh të ardhmen e vet në Kosovë. Cila është tragjedia më e madhe e këtij vendi? Me na sulmu Serbia prapë? Rusia? Nuk ka tragjedi më të madhe për ne. Kur fëmija diplomhet dhe nuk sheh perspektivë, në momentin që diplomohet, shikon të kryejë edhe një gjuhë atje, ta diijë mirë anglishten apo gjermanishten, ku ta di unë kush i ka synimet, dhe me ik nga Kosova.