Fondacioni humanitar i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli mbyll operacionet në Gaza

Fondacioni i kontestuar humanitar për Gazan (GHF), i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, njoftoi se po mbyll operacionet e tij në territorin palestinez pas pothuajse gjashtë muajsh aktiviteti. Organizata kishte pezulluar tashmë tri qendrat e shpërndarjes së ushqimit në Gaza pas armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit, që hyri në fuqi gjashtë javë më parë.

GHF-ja kishte për qëllim të shmangte OKB-në si furnizues kryesor të ndihmave, por agjencitë humanitare refuzuan të bashkëpunonin, duke e konsideruar sistemin e tij joetik dhe të pasigurt. Gjatë kësaj periudhe, qindra palestinezë humbën jetën duke kërkuar ushqim pranë qendrave të GHF-së, shumica nga zjarri i ushtrisë izraelite, sipas OKB-së.

Fondacioni njoftoi se po mbyll aktivitetet për shkak të “mbarimit të suksesshëm të misionit emergjent”, me 3 milionë pako ushqimore të shpërndara, që përkojnë me mbi 187 milionë vakte. Drejtori ekzekutiv i GHF, Jon Acree, tha se Qendra Civilo-Ushtarake e Koordinimit (CMCC), e udhëhequr nga SHBA-të për zbatimin e planit të paqes së Trump për Gazan, do të “adoptojë dhe zgjasë modelin e pilotuar nga GHF”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott, tha se modeli i GHF-së, ku Hamasi nuk mund të përfitonte nga ndihmat, kishte ndihmuar në arritjen e armëpushimit. Nga ana tjetër, Hamasi, që mohon vjedhjen e ndihmave, mirëpriti mbylljen, por kërkoi që fondacioni të mbajë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.

GHF-ja filloi aktivitetet më 26 maj, një javë pasi Izraeli lehtësoi pjesërisht bllokadën totale mbi ndihmat dhe mallrat tregtare në Gaza. Qendrat e shpërndarjes funksiononin brenda zonave ushtarake izraelite dhe menaxhoheshin nga kontraktorë privatë amerikanë të sigurisë. OKB-ja dhe partnerët e saj kritikuan modelin, duke theksuar se ishte i pasigurt dhe shkelte parimet humanitare të neutralitetit dhe pavarësisë.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, deklaroi se mbyllja e GHF nuk do të ndikojë në operacionet e tyre, pasi ata kurrë nuk kishin punuar me fondacionin. Megjithatë, ai shtoi se ndihmat që hyjnë në Gaza që nga armëpushimi më 10 tetor “nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat e 2.1 milion banorëve”.