SHBA-ja kërkon rregulla digjitale të ‘balancuara’ nga BE, përpara se të ulë tarifat e çelikut

Shtetet e Bashkuara kërkuan të hënën që Bashkimi Evropian ta bëjë rregullimin e sektorit të teknologjisë më të "balancuar", në këmbim të një uljeje të tarifave amerikane për importet e çelikut dhe aluminit nga blloku.

Në një takim në Bruksel, ministrat e BE-së i kërkuan Sekretarit të Tregtisë të SHBA-së, Howard Lutnick, dhe Përfaqësuesit të Tregtisë, Jamieson Greer, të zbatonin marrëveshjen e tyre tregtare të korrikut , me ulje të tarifave të SHBA-së për çelikun e BE-së dhe heqjen e tyre nga mallrat e BE-së, të tilla si vera dhe pijet alkoolike.

Por Lutnick tha se BE-ja me 27 vende duhej së pari të rimendonte rregullat e sektorit digjital për t'i bërë ato më të balancuara.

"Pasi të vendosin një kornizë me të cilën ne jemi të kënaqur dhe ta kuptojmë atë, dhe pasi të zgjidhin këto raste të pazgjidhura që janë të vjetra, atëherë mendoj se mund të shkojmë dhe të sulmojmë çelikun dhe aluminin", u tha Lutnick gazetarëve pas takimit 90-minutësh.

ZHBLLOKIMI I NJË TRILION DOLLARËVE INVESTIM

Lutnick nuk specifikoi se çfarë ndryshimesh po kërkonin Shtetet e Bashkuara, por tha se rregullat e balancuara mund të tërhiqnin një trilion dollarë investime në BE.

Administrata Trump ka kritikuar vazhdimisht rregullat e BE-së, që kufizojnë fuqinë e gjigantëve të teknologjisë dhe kërkojnë që platformat e mëdha online të trajtojnë përmbajtjen e dëmshme, duke thënë se ato shënjestrojnë padrejtësisht kompanitë amerikane të teknologjisë.

Komisioni Evropian ka thënë vazhdimisht se është e drejtë sovrane e BE-së, të rregullojë dhe ka vënë në dukje veprime kundër firmave jo-amerikane.

Komisioneri Europian i Tregtisë, Maros Sefcovic, tha se rregullat teknologjike të BE-së nuk ishin diskriminuese.

"Ato nuk synojnë kompanitë amerikane, por ne e dimë se kjo është një nga çështjet që SHBA-të duan të diskutojnë. Ne jemi të përgatitur t'i përgjigjemi pyetjes, ashtu siç SHBA-të janë të përgatitura t'u përgjigjen pyetjeve tona", tha ai.

Sipas marrëveshjes së fundit të korrikut, Shtetet e Bashkuara vendosën tarifa prej 15% për shumicën e mallrave të BE-së, ndërsa Bashkimi Evropian ra dakord të heqë shumë nga tarifat e tij mbi importet amerikane.

Duke pasur parasysh nevojën për miratim nga Parlamenti Evropian dhe qeveritë e BE-së, kjo mund të ndodhë vetëm në mars ose prill, gjë që diplomatët e BE-së thonë se e ka acaruar Uashingtonin.

Ndërkohë, blloku me 27 vende ka vënë në dukje pikat e dakordësuara për të cilat dëshiron të shohë përparim, kryesorët midis tyre çeliku dhe alumini.

Shtetet e Bashkuara kanë një tarifë prej 50% mbi metalet dhe që nga mesi i gushtit e kanë aplikuar këtë tarifë në përmbajtjen e metaleve në 407 produkte "derivative", siç janë motoçikletat dhe frigoriferët. Muajin tjetër mund të shtohen produkte të tjera derivate.

BE-ja ka frikë nga një marrëveshje e pazbatuar

Diplomatët e BE-së thonë se veprime të tilla, së bashku me perspektivën e tarifave të reja për kamionët, mineralet kritike, aeroplanët dhe turbinat me erë, kërcënojnë të shkatërrojnë marrëveshjen e korrikut.

Blloku gjithashtu dëshiron një gamë më të gjerë të produkteve të tij, që i nënshtrohen vetëm taksave të ulëta para Trump. Lista e dëshirave të tij përfshin verën dhe pijet alkoolike, ullinjtë, makaronat, pajisjet mjekësore dhe bio-teknologjinë.

Greer tha se BE-ja duhej të hiqte tarifat mbi importet amerikane, përpara se të fillonin diskutime të tilla.

BE-ja është gjithashtu e gatshme të diskutojë fushat e bashkëpunimit të mundshëm rregullator, blerjet e energjisë amerikane nga blloku, të cilat kanë arritur në 200 miliardë dollarë këtë vit, dhe përpjekjet e përbashkëta për sigurinë ekonomike, veçanërisht në përgjigje të kufizimeve kineze të eksportit të metaleve të rralla dhe çipave./ Reuters.