Boçi para Kryeministrisë: Foltoret opozitare, platformë rezistence dhe protestë ‘zgjidhëse e situatës’

Opozita vijon aksionin e saj politik përmes organizimit të foltoreve me qytetarët, duke e konsideruar këtë format si një platformë rezistence dhe komunikimi që synon të rrisë ndjeshmërinë qytetare. Sipas përfaqësuesve të saj, ky aksion do të vijë në mënyrë të përshkallëzuar, duke paralajmëruar se nuk do të mbetet vetëm në nivelin e komunikimit.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, u shpreh para Kryeministrisë se aksioni i opozitës përmes foltoreve me qytetarët do të vijojë në mënyrë të përshkallëzuar, duke e konsideruar këtë format si një platformë rezistence dhe komunikimi që synon të rrisë ndjeshmërinë qytetare.

Sipas tij, ky aksion nuk do të mbetet vetëm në nivelin e komunikimit, por përfshin edhe qëndrimet e deputetëve në sallën e parlamentit dhe një riorganizim të thellë të Partisë Demokratike, me qëllim forcimin e lidhjeve me qytetarët përtej strukturave partiake.

Boçi theksoi se gjithë kjo strategji ka për qëllim arritjen e një pike kulmore, një proteste masive që opozita e konsideron “zgjidhëse të situatës” aktuale në vend, duke reaguar jo vetëm ndaj ngjarjeve në parlament, por edhe ndaj situatës së përgjithshme në vend.

Pjesë nga deklarata:

Pritshmëria është që ndjeshmëria e qytetarëve do të rritet foltore pas foltore. Në fakt, është komunikim, një format tjetër nga foltorja e dikurshme. Platformë rezistence ose platformë komunikimi, dhe do të ketë kreshendo, patjetër.

Kjo e shoqëruar jo thjesht me këtë komunikim, por e vazhduar më pas edhe nga qëndrimet që do të mbajnë deputetët në sallën e parlamentit, si dhe me pjesën e organizimit të Partisë Demokratike, duke vijuar jo thjesht me analiza, riorganizim total dhe çfarëdo lloj lidhje apo veprimi që na ndihmon të shkojmë tek qytetarët, mos të qëndrojmë vetëm tek strukturat, me qëllim që të arrijmë në një pikë kulmore me një protestë që është zgjidhëse e situatës. Pra, jemi duke komunikuar dhe duke pasur në mbështetje këtë frymë qytetare që sot është në rritje, ju e shihni edhe nga pjesëmarrja, dhe dëshirojmë, duam dhe do të punojmë që kjo mbështetje dhe përkrahje të jetë më e madhe në komunikimet e tjera deri në pikën kryesore finale.

Nga të paarsyeshmit zakonisht nuk pritet reflektim, sepse nuk mund të quhet reflektim fakti që pati debat në seancën e diskutimit të buxhetit në parim, pasi aty është interesi i mazhorancës për të transmetuar elozhet e veta, panegjirizmat për buxhetin. Do shihet në vazhdim, sepse hapësira e opozitës duket në miratimin e komisioneve hetimore, në mocionet me debat, në ardhjen e ministrave në seancat dëgjimore dhe në interpelanca.

Kjo pjesë tjetër, që ne e quajmë sikur ka ndodhur diçka, në fakt nuk ka ndodhur asgjë. Ne presim që të reflektojnë, por kjo nuk do të thotë që ne do të ulim tempin e foltores apo nuk do të marrim pjesë në këtë formë komunikimi, e cila është e domosdoshme, sepse nuk është vetëm për atë çka ka ndodhur në parlament, por është reagim për situatën në të cilën ndodhet vendi.