Messi magjepsi kundërshtarët, lojtarët e Cincinnati-t e ‘pushtojnë’ për t’i marrë fanellën
Lionel Messi nuk mjaftoi vetëm duke shkatërruar FC Cincinnati-n me një paraqitje madhështore, një gol dhe tri asistime në fitoren 4-0 në playoff, por edhe pas ndeshjes e ktheu skenën në një moment të pastër adhurimi.
Sapo arbitri sinjalizoi fundin e takimit, në një TQL Stadium të mpirë, të gjithë lojtarët e Cincinnati-t vrapuan drejt 38-vjeçarit, ashtu si fëmijët që nxitohen të takojnë Babagjyshin e Vitit të Ri. Ata e rrethuan menjëherë, duke i kërkuar fanella, autografe, çfarëdo që mund të merrnin nga numri magjik 10.
Messi d kishte dorëzuar tashmë fanellën e ndeshjes, por kur edhe një lojtar tjetër iu afrua me drojë, argjentinasi buzëqeshi dhe tha:
“Do të ta sjell një në dhomat e zhveshjes.”
Një gjest klasi i pastër. Një sjellje që e konfirmon hijeshinë dhe madhështinë e tij brenda e jashtë fushës.
Në fushë, Tadeo Allende realizoi dy gola, Mateo Silvetti shënoi një perlë, por nata i përkiste tërësisht magjistarit të vogël me fanellën rozë. Inter Miami tani është një fitore larg finales së madhe të MLS Cup, por në këtë moment, trofeu për të cilin po flasin të gjithë është fanella shtesë që Messi premtoi në tunel.