Protesta përballë Kryeministrisë/ Opozita sot pasdite në shesh për aferat korruptive Rama - Balluku

Opozita zbret sërish sot në shesh, përballë godinës së Kryeministrisë, në një format të ri proteste të quajtur “parlament qytetar”, ku kërkesa kryesore është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij, Belinda Balluku.

Tubimi i opozitës cili pritet të nisë në orën 18:00, do të bëjë bashkë qytetarët për të protestuar ndaj aferave korruptive të qeverisë Rama, përfshirë më të fundit nën hetim, atë të Tunelit të Llogarasë. Platforma parlamentare-qytetare, instalohet përpara selisë së Kryeministrisë, të cilën lideri i opozitës Sali Berisha, e cilësoi si 'pallatin e krimit'   

Tubimi vjen si përgjigje edhe ndaj asaj që opozita e cilëson si “asgjësim të jetës parlamentare” dhe mohim të të drejtave kushtetuese në Kuvend.

Gazetarja Marsi Korreshi, raporton për Syri TV se protesta zhvillohet në të njëjtin format si herën e kaluar, e konsideruar jo si protestë kombëtare, por si një “platformë parlamentare qytetare”. Sipas saj, nisma synon të krijojë një hapësirë ku deputetët dhe qytetarët mund të flasin lirshëm përballë njëri-tjetrit.

Në qendër të akuzave të opozitës është skandali që ka përfshirë zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ajo është zyrtarisht e pandehur nga SPAK dhe ndaj saj, Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka caktuar masën e pezullimit nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, duke i ndaluar daljen jashtë vendit. Hetimet lidhen me dyshimet për afera korruptive përfshirë atë të tunelit të Llogarasë dhe të lotit të katërt të Unazës së Madhe.

Opozita akuzon kryeministrin Rama se po vepron si “avokat” i zëvendëses së tij, duke paditur vendimin e GJKKO-së në Gjykatën Kushtetuese. Ky veprim shihet nga opozita si një përpjekje për të mbrojtur Ballukun dhe si dëshmi e bashkëpërgjegjësisë së kreut të qeverisë në aferat e denoncuara. Për këtë arsye, kërkesa për dorëheqjen e të dyve është kthyer në lajtmotiv të protestës raporton gazetarja për Syri TV.

Ashtu si në protestat e kaluara, godina e Kryeministrisë ka marrë masa të shtuara sigurie. Dyert kryesore dhe ato anësore të selisë së qeverisë janë fortifikuar me veshje metalike. Tubimi i sotëm, i dyti i këtij lloji, do të bëjë bashkë liderin e opozitës Sali Berisha, deputetë të Partisë Demokratike dhe forcave të tjera opozitare, si dhe qytetarë e të rinj që i bashkohen thirrjes për llogaridhënie.