Plani amerikan me 28 pika i Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë/ Erdogan-Putin bisedë telefonike

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, ku fokusi kryesor ka qenë zhvillimet e fundit në konfliktin Rusi–Ukrainë dhe perspektiva e rifillimit të negociatave për paqe.

Sipas mediave ndërkombëtare, Putin është shprehur se propozimi i Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë — plani me 28 pika — mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje paqësore. Kreu i Kremlinit ka riafirmuar gatishmërinë e Rusisë për një zgjidhje politike dhe diplomatike të luftës, duke sinjalizuar një hapje të re për dialog.

Nga ana tjetër, presidenti Erdogan ka theksuar se Turqia mbetet e gatshme të mbështesë çdo proces paqeje dhe ka sugjeruar sërish Stambollin si një vend të përshtatshëm për zhvillimin e bisedimeve midis palëve.

Plani amerikan, i bërë publik disa ditë më parë, së bashku me kundërpropozimet e paraqitura nga vendet evropiane pas takimeve të mbajtura dje në Gjenevë me përfaqësuesit ukrainas dhe amerikanë, ka rikthyer në qendër të vëmendjes mundësinë e rinisjes së negociatave. Këto zhvillime po shihen si një dritare e re shprese për një proces diplomatik që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë.