Korça e përmbytur/ Dhjetëra bagëti të ngordhura, asnjë ndihmë nga shteti
Përmbytjet që goditën ditët e fundit qarkun e Korçës kanë lënë pas një panoramë shkatërrimi dhe dhimbjeje, ndërsa fshati Sovjan i Bashkise Maliq pati dëme. Uji, i cili u ngrit me shpejtësi të frikshme, u afrua deri pranë banesave, duke shkaktuar panik të madh te banorët. Ekipi i Syrit TV ka shkuar ne keto familje ku ka dëgjuar rrëfimet me frikën, të pasigurt nëse do të mund të shpëtonin.
Banorët tregojnë se gjithçka ndodhi gjatë natës, toka nisi të zhdukej nën ujin që shtohej, oborret u përmbytën njëri pas tjetrit, ndërsa familjet vrapuan të shpëtonin fëmijët dhe të moshuarit e sëmurë.
Disa prej tyre rrëfejnë se paniku i fëmijëve ka qenë momenti më i rëndë, pasi të vegjlit ulërinin nga frika ndërsa uji i afrohej dyerve të shtëpisë.
Forcat zjarrfikëse u ardhën në ndihmë femijeve te cilët i nxorren nga banesa.
Sot, kur niveli i ujit fatmirësisht është tërhequr, dëmet shihen më qartë.
Toka bujqësore është shkatërruar, stallat janë ende me balte dhe dhjetra krerë bagëti janë humbur. Për shumë familje, kjo nuk është thjesht një humbje ekonomike është humbja e vetmes burim jetese. Pa gjënë e gjallë dhe pa bazën ushqimore, këto familje në prag dimri janë pa asnjë mundësi për të vazhduar jetesen.
E megjithëse dëmet janë të dukshme dhe situata është e rëndë, banorët shprehen të zhgënjyer nga mungesa institucionale.
Sipas tyre, asnjë përfaqësues i autoriteteve nuk ka mbërritur në Sovjan për të bërë vlerësimin e dëmeve, për të ofruar ndihmë ekonomike, apo qoftë edhe për të sjellë një qese me bazë ushqimore për bagëtitë e mbetura gjallë. Banorët ndihen të braktisur në një kohë kur nevojat janë më të mëdha se kurrë.
Disa thonë se ndihma e vetme që kanë marrë është nga kisha.
Sot në Sovjan, përveç baltës dhe shenjave të përmbytjes, shihen edhe pasojat e padukshme si trishtimi, pasiguria dhe zhgënjimi.
Familjet kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet.
Ata kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë urgjentisht, të vlerësojnë dëmet dhe të ofrojnë ndihmë konkrete, si ushqim për bagëtinë dhe kompesime per humbjet.