Aferat e Belindës nga jugu në veri: Shirat rrëzojnë propagandën edhe në Mat, shembet rruga që u inagurua për fushatën elektorale të 11-Majit

Vetëm disa javë pas inaugurimit, një shi i zakonshëm vjeshte ka mjaftuar për të nxjerrë në pah dobësitë serioze të projekteve të infrastrukturës të menaxhuara nga Ministria e Infrastrukturës. Pas aksit Qukës-Qafë Plloçë, ku rrëshqitjet masive të dheut shembën barriera dhe deformuan asfaltin e sapovendosur, probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në zonën e Matit.

Segmenti rrugor Burgajet–Derjan–Macukull, i inauguruar me entuziazëm në maj si “një tjetër premtim i mbajtur”, sot paraqitet i amortizuar nga shirat e ditëve të fundit. Deformimet, çarjet dhe prishjet e dukshme të asfaltit vënë në pikëpyetje cilësinë e punimeve dhe mbikëqyrjen teknike të projektit.

Ndërsa në njoftimet zyrtare investimet paraqiten si transformuese për komunitetin, realiteti i terrenit tregon se rrugët nuk po i rezistojnë as kushteve më bazike atmosferike.

Këto probleme të përsëritura jo vetëm dëmtojnë sigurinë e qytetarëve, por ngrenë edhe dyshime të forta mbi standardet e zbatimit dhe përgjegjësinë e institucioneve që duhet të garantojnë cilësi dhe qëndrueshmëri, por siç duket kjo nuk ka ndodhur kurrë dhe këtë e vërteton pezullimi i ministres së energjitikës Belinda Balluku.