Vrasja e Marvi Mihalit, 4 të akuzuarit presin në heshtje vendimin 'arrest me burg'

Katër të rinjtë e akuzuar për vrasjen e Marvi Mihalit pak ditë më parë e kanë pritur në heshtje vendimin e Gjykatës "arrest me burg" si masë sigurie ndaj tyre.

Eugen Bitraj, 24-vjeçari i akuzuar si autor i vrasjes dhe tre bashkëpunëtorët e tij, Dejvi Bitraj,19 vjeç; Kridens Alla,19 vjeç dhe Marsel Alla, 23 vjeç, të gjithë banues Tiranë e dëgjuan masën e sigurisë pa reaguar, ndërkohë që në sallë ishin të pranishëm, baballarët e tyre.

Shokët e katër të rinjve, jashtë gjykatës, janë konfliktuar me gazetarët dhe operatorët, për të mos lënë që të akuzuarit të filmoheshin apo fotografoheshin. Ndërkohë, baballarët e Eugen Bitrajt dhe Dejvi Bitrajt, kanë shprehur me pikëllim jashtë gjykatës për situatën e vështirë që është krijuar që pas vrasjes për të gjithë.

"I shpreh ngushëllimet familjes së 22-vjeçarit, - tha babai i Eugen Bitrajt. - Jemi në një situatë shumë të vështirë. Askush nuk do të donte të ishte prind i asnjërit në këtë situatë, as i djalit që humbi jetën e as të atyre që sot janë fajtorë. Jemi shumë të tronditu. Fëmijët kanë bërë një gjë shumë të keqe. Duhet të gjejmë forca të reagojmë pozitivisht. Ne nuk kemi mundësi të takohemi me familjarët e viktimës. Situata ëhstë shumë e nxehtë. Jemi në kërkim të gjejmë një mik të përbashkët të qetësojmë situatën."