PAMJE/ Ulet niveli i ujit në Shënkoll e Kolsh, por dhjetëra banesa ende të përmbytura

Mbyllja e argjinaturës së lagunës së Vainit ka bërë që niveli i ujit të nisë të ulet gradualisht në njësitë administrative Shënkollë dhe Kolsh. Megjithatë, situata mbetet ende e vështirë, pasi dhjetëra banesa vazhdojnë të jenë të rrethuara nga uji dhe qindra hektarë tokë bujqësore janë ende nën pushtimin e përmbytjes.

Që prej ditës së djeshme ka filluar shpërndarja e ndihmave ushqimore dhe bazës ushqimore për blegtorinë, në mbështetje të banorëve të zonave më të prekura.

Ndërkohë, tërheqja e ujit po ndodh me ritme shumë të ngadalta, për shkak të niveleve të larta në kanalet kulluese, të cilat nuk favorizojnë evadimin e tij.

Edhe gjatë ditës së sotme vijon shpërndarja e ndihmave në terren, ndërsa emergjencat janë aktive në disa zona të qarkut.

Në Mirditë, dy banesa rezultojnë të rrezikuara nga rrëshqitjet e dherave ku emergjencat po ndërhyjne, ndërsa në aksin Bukmir–Rrëshen vijon ndërhyrja për ta mbajtur rrugën të kalueshme.

Ndërkohë, në Kurbin po vazhdon puna për përforcimin e argjinaturës së lumit Drojë, me qëllim shmangien e problemeve të tjera për shkak të rritjes së prurjeve.