Granit Xhaka, mesfushori më i vlerësuar në Premierligë

Mesfushori me prejardhje shqiptare i Sunderlandit, Granit Xhaka po tregon paraqitje të jashtëzakonshme në Premierligë. 33-vjeçari është lojtari kyç i Sunderlandit, në një sezon të madh të klubit në rikthimin e tij në Premierligë.

Por jo vetëm tek ekipi i tij, Xhaka është mesfushori më i vlerësuar në tërë ligën.

“WhoScored” e ka vlerësuar Xhakën me notën 7.37, duke lënë mbrapa emra si Declan Rice, Moises Caicedo, Bruno Fernandes e Dominik Szoboszlai.

Këtë sezon, Xhaka ka një gol e tri asistime në Premierligë. Mesfushori i Zvicrës kaloi te Sunderlandi gjatë verës nga Leverkuseni për shumën e 15 milionë eurove.

Ndërkohë si kapiten i “Macave të Zeza”, pas ndeshjes së humbur nga Sanderlendi i tij ndaj Fulhamit, shqiptari i Zvicrës u shpreh tejet i dëshpëruar.

Ai bëri një postim në rrjetet sociale, duke thënë se kjo humbje dhemb.

“Humbjet gjithmonë dhembin, tani ka të bëjë me mënyrën se si mësojmë prej tyre dhe si ecim përpara së bashku”, u shpreh Xhaka në rrjetet sociale.