Si META 'varrosi' provat rreth dëmshmërisë së rrjeteve sociale

Meta ka ndaluar kërkimet e brendshme mbi efektet e Facebook dhe Instagram në shëndetin mendor , pasi ka gjetur prova shkakësore që produktet e saj dëmtojnë shëndetin mendor të përdoruesve, sipas një padie të ngritur nga distriktet shkollore të SHBA-së kundër Meta-s dhe platformave të tjera.

Në një studim të vitit 2020, të koduar "Projekti Mercury", shkencëtarët e Meta-s bashkëpunuan me kompaninë kërkimore Nielsen për të vlerësuar efektin e "çaktivizimit" të Facebook-ut dhe Instagram-it, sipas dokumenteve të Meta-s të marra gjatë procedurave gjyqësore, raporton Reuters.

Për zhgënjimin e kompanisë, “njerëzit që ndaluan së përdoruri Facebook-un për një javë raportuan se ndienin më pak depresion, ankth, vetmi dhe krahasim social”, sipas dokumenteve të brendshme.

Në vend që të publikojë këto rezultate ose të ndjekë kërkime shtesë, dokumenti thotë se Meta ndaloi punën e mëtejshme dhe deklaroi brenda kompanisë se rezultatet negative të kërkimit ishin kompromentuar nga "narrativa ekzistuese mediatike" në lidhje me kompaninë.

Pavarësisht kësaj, punonjësit e siguruan privatisht Nick Clegg, kreun e atëhershëm të politikave publike globale të Meta-s, se përfundimet e hulumtimit ishin të vlefshme.

"Hulumtimi i Nielsen tregon një efekt shkakor në krahasimin social", thuhet se shkroi një studiues i paidentifikuar (së bashku me një emoji fytyre të pakënaqur). Një punonjës tjetër shprehu shqetësimin se mbulimi i rezultateve negative do të ishte i ngjashëm me veprimet e industrisë së duhanit, e cila "kryeu kërkime, e dinte që cigaret ishin të dëmshme dhe e mbajti informacionin për vete".

Pavarësisht provave të veta për një lidhje shkakësore midis produkteve dhe efekteve negative në shëndetin mendor, padia pretendon se Meta i tha Kongresit Amerikan se nuk ishte në gjendje të përcaktonte sasinë e dëmit të produkteve të saj për vajzat adoleshente.

Në një deklaratë të lëshuar të shtunën, zëdhënësi i Meta-s, Andy Stone, tha se hulumtimi u ndal sepse metodologjia e tij ishte e gabuar dhe se kompania po punon me zell për të përmirësuar sigurinë e produkteve të saj.

“Rekordi i përgjithshëm do të tregojë se për më shumë se një dekadë ne kemi dëgjuar prindërit, kemi studiuar çështjet që kanë më shumë rëndësi dhe kemi zbatuar ndryshime të vërteta për të mbrojtur adoleshentët”, tha një zëdhënës i Metës, sipas Reuters.