Sulm terrorist në Pakistan, 3 të vdekur dhe 12 të plagosur

Tre efektivë sigurie humbën jetën dhe të paktën 12 persona u plagosën pas një sulmi ndaj selisë së Forcës Federale të Rojës në Peshawar të Pakistanit, mëngjesin e kësaj së hëne.

Sipas BBC Urdu, sulmuesit ishin të armatosur dhe tentuan të depërtonin në kompleksin e sigurisë, i cili ndodhet në një zonë shumë të mbrojtur në veriperëndim të vendit. Deri tani, asnjë organizatë militante nuk ka marrë përgjegjësinë.

Dëshmitarët raportuan se kanë dëgjuar dy shpërthime të fuqishme rreth orës 08:10 sipas kohës lokale. Autoritetet kanë rrethuar zonën, ndërsa ekipet e ndihmës së shpejtë po punojnë në terren. Mes të plagosurve raportohet se janë pesë efektivë sigurie dhe shtatë civilë.

Autoritetet pakistaneze e përshkruan ngjarjen si “një komplot të dështuar terrorist”, duke theksuar se sulmuesit u neutralizuan në hyrje të godinës dhe nuk arritën të hyjnë brenda.

“Kryesit e këtij akti duhet të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë sa më shpejt,” deklaroi kryeministri Shehbaz Sharif.

Forca Federale e Rojës, dikur e njohur si Frontier Constabulary, merret me situata që tejkalojnë kompetencat e policisë, si konfliktet fisnore dhe dhuna e grupeve kriminale.

Peshawari, pjesë e provincës Khyber Pakhtunkhwa pranë kufirit me Afganistanin, është prej vitesh një nga zonat më problematike për shkak të aktiviteteve militante. Pakistani Taliban (TTP) është aktiv në rajon dhe më herët ka marrë përgjegjësinë për sulme të ngjashme në të gjithë vendin.