Profesorët në Greqi po trajnohen për përdorimin e inteligjencës artificiale

Mësuesit e shkollave të mesme në Greqi së shpejti do t'i nënshtrohen trajnimit intensiv në përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale (IA), ndërsa vendi merr një rol udhëheqës në përfshirjen e IA-së në sistemin e tij arsimor.

Këtë javë, stafi në 20 shkolla do të trajnohet në një version të specializuar të ChatGPT, të përshtatur për institucionet akademike, sipas një marrëveshjeje të re midis qeverisë greke dhe OpenAI, raporton Guardian.

"Duhet ta pranojmë që inteligjenca artificiale nuk ekziston në një univers paralel. Ajo është këtu", tha Ministrja e Arsimit Sofia Zaharakis para fillimit të programit pilot.

Iniciativa, e cila do të zgjerohet në nivel kombëtar në janar, e bën Greqinë një nga vendet e para që prezanton inteligjencën artificiale gjeneruese në klasa.

Punëtoritë do të përqendrohen së pari te mësuesit që zotërojnë teknologjinë e re për të ndihmuar në planifikimin e mësimeve, kërkimin dhe të nxënit e personalizuar, përpara se ChatGPT edu të integrohet gradualisht në shkolla.

Pranverën e ardhshme, kur nxënësit e shkollave të mesme të larta do të jenë në gjendje ta përdorin mjetin, qasja do të kontrollohet rreptësisht, thonë zyrtarët.

Qeveria e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, e orientuar drejt biznesit, ka një ambicie për ta bërë Greqinë një qendër teknologjike, me Athinën që do të presë një nga fabrikat e para të inteligjencës artificiale në Evropë.

Edhe pse Mitsotakis ka paralajmëruar për “trazira të konsiderueshme sociale” nëse revolucioni i inteligjencës artificiale shihet vetëm si një mjet për pasurimin e kompanive të teknologjisë, administrata e tij është ndër të parat që harton një strategji kombëtare për të përgatitur grekët “për të gjitha zbatimet e kësaj teknologjie”.

Në shkollat ​​ku shumica e nxënësve përdorin aplikacione si ChatGPT, qeveria udhëhiqet nga parimi "nëse nuk mund ta mposhtësh robotin, bëhu mik me të".

Megjithatë, disa grekë janë më pak entuziastë.

Nxënësit e shkollave të mesme shprehin frikën se do të “tejkalohen dhe kontrollohen” nga inteligjenca artificiale nëse asaj i lejohet zhvillim i pakufizuar.

Drejtori i çështjeve globale të OpenAI, Chris Lihen, thotë se angazhimi i Greqisë për të testuar chatbot-in përfaqëson një "kapitull të ri arsimor" për vendin.

Sipas marrëveshjes, kompania amerikane premtoi të mbikëqyrë zbatimin e "praktikave më të mira për përdorim të sigurt dhe efektiv në klasa".

Skeptikët kanë frikë se Greqia po bëhet një laborator për teknologjinë, rreziqet e të cilit përfshijnë erozionin e të menduarit kritik dhe krijues.