Dita e së vërtetës, ja sa përfiton Skënderbeu nëse kualifikohet në ‘play off’

Sot në orën 20:00 Skënderbeu do të presë në “Elbasan Arena” skuadrën e Mlada Boleslav në ndeshjen e kthimit të vlefshme për turin e tretë kualifikues të Europa Leagues.

Tashmë Skënderbeu falë eksperiencës në këtë turne do të kërkojnë përmbysjen e madhe pasi në shtëpi çekët fituan me rezultatin 2-1.

Deri në këto momente “ujqërit” kanë përfituar nga UEFA plot 675 mijë euro për të mos llogaritur  shumat nga të drejtat televizive, biletat apo reklamat, shkruan SYRI.net.

Skënderbeu ka fituar 215 mijë euro për pjesëmarrjen në raundin e parë të Europa Leagues, por pasi u kualifikuan në turin e dytë korçaret morën edhe 225 mijë euro të tjera.

Gjithashtu në arkat e klubit korçar u shtuan edhe 235 mijë euro të tjera pasi Skënderbeu arriti të kualifikohet për të turin e 3-të të Europa Leagues ku do të përballet me çekët e Mlada Boleslav.

Në lojë janë jo pak, por 920 mijë euro, pasi, nëse arrijnë të shkojnë deri në fazën “play-off”, atëherë nga shumat që kanë përfituar deri më tani, bardhekuqve u shtohen edhe 245 mijë euro.

/ SYRI.net /