Flamurtari dhe Tirana ndajnë pikët në Vlorë, por nuk shmangin krizën

Flamurtari dhe Tirana u ndanë në barazim 1-1 në ndeshjen e zhvilluar në Vlorë, një rezultat që nuk i shërben realisht asnjërës prej skuadrave. Statuskuoja në fundin e tabelës mbetet e pandryshuar dhe të dyja ekipet vazhdojnë të jenë të zhytura në një krizë të thellë, duke luftuar fort për mbijetesë.

Vlonjatët mbeten në vendin e parafundit me nëntë pikë, ndërsa Tirana vijon të mbajë vendin e fundit me shtatë pikë, dy më pak se kuqezinjtë e bregdetit.

Sa i përket kronikës, në minutën e 37’ Diavara shërben bukur për Maksutin, i cili merr topin, depërton në zonë dhe finalizon me saktësi ndaj Tafasit. Bardheblutë protestuan gjatë për një faull të mundshëm, por arbitri, pas konsultimit me VAR-in, e konsideroi golin të rregullt, 1-0 për Flamurtarin

Barazimi i Tiranës erdhi në minutën e 75’: Zhunior tregon aftësi individuale në zonën e rreptësisë, krijon hapësirë dhe godet fort, duke mposhtur Aleksovskin. Edhe këtu pati pretendime, por goli u konsiderua i rregullt pas verifikimit në VAR.

Pjesa e mbetur e ndeshjes solli më shumë nerva dhe pak lojë të ndërtuar, teksa të dyja ekipet kërkonin fitoren, por pa arritur të gjenin golin e dytë.

Barazimi i lë Flamurtarin dhe Tiranën në pozitë shumë delikate në fund të klasifikimit, me presionin që rritet në javët e ardhshme. Lufta për mbijetesë sapo është ndezur dhe çdo pikë mund të jetë vendimtare.