‘Shteti është narko-diktaturë’/ Gjin Gjoni: Kryebashkiaku i Lezhës arrogant, nuk bie në llumin e tij
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryetarit të Bashkisë së Lezhës, duke e cilësuar mënyrën e tij të komunikimit si një “batak” dhe “llum kënete”, në të cilin refuzon të përfshihet.
Gjatë intervistës në SYRI TV me Eneida Ndocin, Gjoni deklaroi se nuk ka asgjë të përbashkët intelektualisht me kryebashkiakun dhe se misioni i tij nuk është të krijojë debate me drejtuesit e institucioneve, por të jetë pranë qytetarëve që e kanë zgjedhur.
Sipas deputetit, sjellja e pretenduar arrogante dhe prepotente e kryetarit të bashkisë nuk shfaqet vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por është një model i qëndrueshëm komunikimi edhe me qytetarët, sipërmarrësit dhe vetë punonjësit e administratës së tij. “Ka një dozë të shtuar të arrogancës dhe prepotencës në raport me njerëzit,” theksoi Gjoni, duke shtuar se ai nuk do të bjerë pre e provokimeve.
Duke përcaktuar rolin e tij si opozitar, deputeti demokrat u shpreh se politika e tij është “politika e qytetarëve dhe e ditës”. Ai listoi një sërë problematikash me të cilat përballen banorët e Lezhës dhe për të cilat ai do të jetë zëri i tyre, duke përfshirë çështjen e përmbytjeve, problemet me energjinë elektrike, infrastrukturën, diskriminimin, procesin e legalizimeve, pastrimin e parave në bregdet përmes ndërtimeve, si dhe ndërhyrjet me ndërtime pa leje apo me leje false.
Nga përplasja lokale, deputeti Gjoni kaloi në një akuzë edhe më të rëndë në nivel kombëtar, duke komentuar një rezolutë të fundit të Internacionales Demokrate Centriste (CDI-IDC). Ai e cilësoi këtë rezolutë si “më të fortën që është dhënë ndonjëherë”, pasi, sipas tij, ajo vjen nga partitë e djathta dhe konservatore evropiane dhe e etiketon Shqipërinë si një “narko-diktaturë”.
“Nuk ka ndodhur në asnjë raport të mëparshëm,” pohoi Gjoni, duke e lidhur këtë vlerësim të ashpër ndërkombëtar me gjetjet e raporteve të mëparshme të OSBE/ODIHR-it. Kjo deklaratë e tij e vendos konfliktin politik në një dimension ndërkombëtar, duke pretenduar se qeverisja aktuale po e dëmton imazhin e vendit në arenën botërore.
Gjoni: Opozita ka vetëm të drejtën e fjalës, për t'u gjendur pranë njerëzve. Unë të them të drejtën nuk dua të bi në batakun e mënyrës së komunikimit të kryetarit të Bashkisë së Lezhës. Nuk është dhe e them me keqardhje nuk mund të tërhiqem në llumin e kënetës së fjalorit të tij. Për një arsye shumë të thjeshtë. E para që intelektualisht nuk kam asgjë të përbashkët me të.
E dyta, unë nuk jam atje për të krijuar debat me drejtuesit e institucioneve. Unë jam aty për të ndihmuar qytetarët dhe për të qenë prezent, sepse pikërisht për këtë shkak qytetarët e Lezhës më kanë zgjedhur, më kanë zgjedhur që të qëndroj pranë dhe të ngrej probleme dhe shqetësimet e tyre. Por nga informacionet që kam marrë, të them të drejtën se nuk duhet ta zgjas, mënyra e komunikimit të kryetarit të bashkisë është e një llojt edhe me qytetarët, siç sillet edhe me deputetin Gjin Gjoni, dhe nuk ka asnjë ndryshim nga mënyra se si sillet edhe me sipërmarrësit, edhe me punonjësit e vet të të të bashkisë.
Dhe ka një dozë të shtuar të të mënyrës së arrogancës dhe të prepotencës në raport me njerëzit. Kjo mendoj unë, është mënyra e sjelljes së tij dhe unë nuk hyj në mënyrë absolute, unë nuk bie pre e provokimeve të tij, pasi të them të drejtën qëndrimet dhe politika ime ka të bëjë me politikën e qytetarëve, me politikën e ditës, me shqetësimet e e e qytetarëve jo vetëm të qarkut të Lezhës, por edhe qytetarët e Shqipërisë, sepse në fund të fundit unë përfaqësoj interesat e opozitës në këtë parlament.