TIRANE/ Nxirrnin euro të falsifikuara në treg/ Arrestohen 4 të rinjtë teksa merrnin 11 pako me para në postë...
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Wrong Delivery”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë. Operacioni kishte si qëllim goditjen e një grupi kriminal që dyshohet se vepronte në fushën e falsifikimit dhe hedhjes në treg të kartëmonedhave euro të falsifikuara.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. B., 19 vjeç, banues në Shkodër; S. L., 26 vjeç, banues në Tiranë; E. A., 19 vjeç, banues në Tiranë; një i mitur 17 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërkohë, u shpall në kërkim shtetasi A. P., 19 vjeç, banues në Krujë.
Gjatë operacionit, shtetasit S. L., E. A. dhe i mituri u kapën në flagrancë në një zyrë poste në Tiranë, teksa tentonin të tërhiqnin 11 pako që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara. Dërgimet ishin kryer nga shtetasi A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të fshehur aktivitetin dhe për të shpërndarë kartëmonedhat e falsifikuara.
Policia vijon punën për kapjen e shtetasit në kërkim A. P., si dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.