Serbia e Vuçiç parakalon Shqipërinë e Edi Ramës!

Serbia në sytë e ndërkombëtarëve ka parakaluar Shqipërinë dhe po bëhet gati seriozisht, që të pranohet së shpejti në Bashkimin Europian.

“Serbia është udhëheqëse e stabilitetit në rajon, ndaj anëtarësimi i saj në BE është mjaft i rëndësishëm”, deklaroi presidenti italian Sergio Mattarella gjatë një takimi pak ditë më parë në Romë me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Është trishtuese për Shqipërinë e cila ka dy dekada që rri prapa portës së BE-së, kur shikon që një vend që deri në vitin 1999 masakroi Ballkanin, e parakalon dhe bëhet gati të hapë atë derë. Sinjalet se Serbia tashmë është shumë përpara vendin tonë në rrugën e anëtarësimit nuk kanë ardhur vetëm nga Italia, e cila e nisi partneritetin strategjik në fillim të viteve 90-të me Shqipërinë dhe tashmë rezulton, si investitori më i madh në Serbi.

Tashmë nuk është më sekret që edhe Gjermania, Franca, SHBA etj, po i kushtojnë më shumë vëmendje vendit të udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i satrapit Slobodan Milosheviçi. Edhe në në Shtëpinë e Bardhë i pari lider nga rajoni ynë ishte presidenti Vuçiç, që u ftua dhe u prit ngrohtë nga Zëvendës Presidenti amerikan Pence dhe jo Edi Rama.

Kjo ndodh sepse përveç problemit të njohjes së Kosovë (kohët e fundit edhe këtë po e kapërcejnë me zgjuarsi dhe mendje të hapur) Serbia ka bërë reforma të qarta, përparim të sigurt ekonomik dhe mbi të gjitha po lufton me sukses krimin e organizuar dhe korrupsionin. Vitin e kaluar dhjetëra zyrtarë të lartë në këtë vend u prangosën brenda një nate, gjë që në Shqipëri nuk po ndodh.

Për të gjitha këto është turpëruese për Shqipërinë dhe demaskim për mënyrën se si dhe për çfarë na qeveris Edi Rama, që edhe rolin udhëheqës të stabilitetit në rajon, ja ka marrë pikërisht vendi përgjegjës që zhvilloi luftëra dhe genocid në gjysmën e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë që kryeministri ynë performon me atlete përpara liderëve europianë dhe botërorë, “miku im Aleksandër” e ka parakaluar në çdo aspekt, përveç  atij të barsoletave dhe “lënies nam” në performancat e tij nëpër kancelaritë dhe takimet e rëndësishme ndërkombëtare.

Syri.net