Përmbytje në Gjirokastër/ Ja si paraqitet situata në këtë qark, shembje dheu në Libohovë
Gjatë natës, territori i qarkut Gjirokastër ka qenë nën ndikimin e reshjeve të shiut me intensitet të ulët, pa shkaktuar probleme të mëdha në infrastrukturë apo banesa.
Sipas njoftimit nga OSHEE, aktualisht jashtë funksionit mbetet vetëm fideri Radio Kordhocë në bashkinë Gjirokastër, ndërsa pjesa tjetër e qarkut furnizohet normalisht me energji elektrike.
Situata hidrologjike
Niveli i lumit Vjosë në Përmet ka arritur në 2.4 metra.
Në urën e Memaliajt niveli është regjistruar në 3.5 metra.
Dëmet dhe masat në terren
Në qarkun Gjirokastër nuk ka pasur banorë të evakuuar dhe nuk raportohet për dëmtime banesash si pasojë e reshjeve.
Janë përmbytur rreth 20 hektarë tokë bujqësore, kryesisht me vreshta dhe kultura të tjera të mbjella.
Situata në bashkitë e qarkut
Libohovë
Është evidentuar një rrëshqitje masivi dherash në aksin rrugor Poliçan–Sheper, pranë fshatit Sheper, njësi administrative Zagori, duke shkaktuar bllokimin e qarkullimit.
Gjatë ditës së sotme, bashkia Libohovë dhe bashkia Dropull do të vijojnë punimet në aksin Suhë–Poliçan, në vendin e quajtur “Shkëmbi i Dallandyshes”, për riparimin e trupit të rrugës. Ky aks është një lidhje e rëndësishme për dy njësitë administrative të Zagorisë.
Dropull
Do të vijojnë punimet për vënien në funksion të rrugës që lidh fshatin Glinë me fshatin Nepravishtë, e dëmtuar nga reshjet.