'Kanë vendosur të na vrasin me të ftohtë': Ukrainasit tregojnë vështirësitë pas sulmeve ruse ndaj rrjetit elektrik

Banorët e Çernihivit thonë se qëndrojnë pa energji 14 orë në ditë, ndërsa mblidhen në "pikat e pathyeshmërisë" për t'u ngrohur dhe për të karikuar pajisjet.

Valentyna Ivanivna tregoi me krenari elektrikun e saj të ri që ia kishte dhuruar nipi. Çdo mbrëmje ajo e vë mbi kokë për të bërë punët e shtëpisë: për të gatuar, larë enët e sistemuar pjatat. "Pa energji nuk mund të planifikosh asgjë. As nuk mund të ftosh njeri për një filxhan çaji, sepse ibriku nuk punon. Është stresuese dhe rraskapitëse për të gjithë," tha ajo.

Ivanivna jeton në Çernihiv, një qytet i lashtë ukrainas i njohur për katedralet mesjetare. Kufiri me Bjellorusinë dhe Rusinë është vetëm pak kilometra larg, përmes pyjeve me pisha dhe fshatrave të qeta. Në vitin 2022, trupat ruse pushtuan pjesën më të madhe të rajonit, bombarduan qytetin dhe e mbajtën nën rrethim për gjashtë javë.

Në vjeshtë, lufta u rikthye me mijëra dronë shpërthyes. Kremlini po përpiqet ta zhysë në errësirë gjithë Ukrainën, duke goditur termocentrale, nënstacione dhe ekipet e shpëtimit që punojnë për të mbajtur rrjetin energjetik në këmbë.

Ukraina po përballet me dimrin më të ftohtë dhe më të vështirë që nga viti 2022. Ndërprerjet e energjisë janë bërë pjesë e përditshmërisë, jo vetëm në fshatra të largëta, por edhe në kryeqytet. Gjatë një interviste me presidentin Zelenskyy, dritat u fikën edhe në pallatin presidencial. Kafenetë, restorantet dhe dyqanet funksionojnë si munden, nën zhurmën e gjeneratorëve.

Çernihivi është ndër rajonet më të goditura, bashkë me Sumin dhe Kharkivin. "Ne jemi pa energji 14 orë në ditë," tha Ivanivna. "Sot dritat u fikën në 5:30 të mëngjesit, erdhën në 10:30 dhe u fikën sërish në 13:30. Disa lagje nuk kanë fare energji." Gjatë ndërprerjeve nuk punon ashensori dhe as pompa që sjell ujin. "Mbi katin e katërt nuk ka ujë," shtoi ajo.

Ajo dhe mikja e saj, Liudmyla Mykolayivna, shkojnë rregullisht në një "pikë pathyeshmërie", një tendë e ngrohtë në parkimin e një qendre tregtare, me internet Starlink, çaj, kafe dhe prizë për të karikuar telefonat. Mykolayivna, pensioniste 68 vjeç, shikonte TikTok dhe tregoi se në shtëpi lexon romane e libra me detektivë nën dritën e një elektriku dore.

Adam Davidenko, një korrier 33-vjeçar, tha: "Rusia është një vend terrorist. Nuk mund të na mposhtë ushtarakisht, prandaj vendosi të na vrasë me të ftohtë." Atij ia kishin shkëputur energjinë sepse nuk mund të paguante faturën. "Ne thjesht mbijetojmë. Nuk jetojmë. Ngrohem me dru zjarri. Ndonjëherë mendoj për vetëvrasje," tha ai.

Dy javë më parë, rusët shkatërruan një nga njësitë e fundit të prodhimit të energjisë në rajon. Nënstacioni 110kV në Çernihiv u godit për tri ditë rresht nga dronët Shahed. Transformatori shpërtheu dhe pamjet u publikuan në Telegram. Disa punëtorë u vranë gjatë sulmeve.

"Rusët po përpiqen të shkaktojnë një "blackout" total për civilët. Këtu nuk ka asgjë ushtarake. Është gjenocid i qëllimshëm," tha zëvendësdrejtori i kompanisë energjetike, Serhii Pereverz. Ai tregoi rrënojat, kabllot e përdredhura dhe transformatorët e djegur, ndërsa tymi ende dilte nga pajisjet e shkatërruara.

Në spitalin nr. 2 të Çernihivit, drejtori Vladyslav Kukhar tha se operacionet jo urgjente shtyhen shpesh për shkak të mungesës së energjisë. Spitali varet nga një gjenerator dhe një bateri e madhe rezervë. "Kjo situatë rëndon shpirtërisht. Mjekët dhe infermierët jetojnë në këtë qytet dhe përballen me të njëjtat probleme," tha ai.

Pakënaqësia e publikut për mungesën e energjisë elektrike është rritur, ndërsa vendi po përballet me një skandal të madh korrupsioni. Në fillim të muajit, hetuesit shkuan në apartamentin në Kiev të mikut dhe ish-partnerit të biznesit të Zelenskyy-t, Timur Mindich. Ai ishte larguar disa orë më herët, duke ikur në Poloni, mes akuzave se kishte organizuar një skemë të madhe ryshfeti që përfshinte agjencinë shtetërore të energjisë bërthamore, Energoatom. Përfitues të tjerë të dyshuar ishin ministra, dy prej të cilëve kanë dhënë dorëheqjen, dhe zyrtarë të lartë.

Andriy Podverbnyi, një gazetar nga Çernihivi, tha se banorët vendas ishin të zemëruar nga këto zbulime. "Korrupsioni ka qenë gjithmonë problem në vendet post-sovjetike. Megjithatë, lajmet ishin një surprizë e hidhur. Për djemtë në vijën e frontit dhe për ata që jetojnë me pak ose aspak energji, është si thikë pas shpine," tha ai. Shtoi se "skema ishte primitive. Ata që ishin përfshirë ishin qartësisht të bindur se nuk do të kapeshin."

Podverbnyi ecte në bulevardin kryesor të qytetit, i dekoruar me fotografi të ushtarëve të rënë në luftën kundër Rusisë. Ai tha se shumë të rinj kanë lënë Çernihivin, duke ulur popullsinë para luftës prej 280 mijë banorësh. "Pavarësisht gjithçkaje, unë jam optimist. Kemi kaluar pushtimin gjerman, sovjetik dhe rus. Gjermanët dogjën fshatin e gjyshes sime. Ne jemi të fortë dhe rezistentë. Rusët nuk do të na thyejnë," tha ai.

Situata është edhe më e vështirë për familjet me fëmijë. Anna Kulieva tha se ajo dhe bashkëshorti i saj, Maksym, shqetësohen për vajzën e tyre shtatëvjeçare, Yeseniia, sidomos kur bien bombat. "Jemi mësuar me gjithçka, përveç faktit që nuk punon ashensori, sepse jetojmë në katin e tetë. Në përgjithësi, viti 2022 ishte më i keq. Nuk ankoheni dot. Por na shqetëson shkollimi i fëmijës kur nuk ka energji," tha ajo.

Në shtëpinë e vogël me dy dhoma, Kulieva lëvizte me një dritë koke. Një llambë LED ndriçonte tavolinën e kuzhinës dhe detyrat e Yeseniias. "Nuk mund ta lash fëmijën. As të pastrosh banesën. Fëmijët shkojnë në shkollë, por ka shumë sulme ajrore dhe dronë Shahed. Ndizet alarmi, fiket energjia, dhe ata rrinë në errësirë për orë të tëra. Në këto kushte nuk marrin një arsim cilësor. Shpresojmë që gjërat të përmirësohen," tha ajo.

Lagjja jashtë pallatit të tyre ishte e zhytur në errësirë. Disa apartamente ndriçonin vetëm nga llamba portative, duke krijuar dritëza të vogla të zbehta. Kupolat e arta baroke të kishës së Shën Katerinës, ndërtuar në shekullin XVII për të përkujtuar një fitore kozake ndaj osmanëve, mezi dalloheshin në largësi. Qaforja e një qeni, me një dritë të kuqe, kërcente në rrugë ndërsa ecte me pronarin.

Kulieva tha se familja e saj nuk ka ndër mend të largohet, pavarësisht luftës dhe faktit që rusët e lagjes, dikur të quajtur "vëllezër", e kanë tradhtuar Ukrainën. "Njerëzit këtu janë të jashtëzakonshëm. Ka një solidaritet të pabesueshëm. Sa më shumë kohë kalon këtu, aq më shumë i vlerëson njerëzit rreth teje," tha ajo. Shtoi: "Besoj se do t'i kapërcejmë problemet ekonomike dhe politike. Më e rëndësishmja është të mbetemi njerëzorë. Dhe të rrisim fëmijët tanë me këto vlera.

"Nuk është e vështirë të jetosh pa dritë në shtëpi. Është e vështirë të jetosh pa dritë në zemër." / The Guardian - Syri.net